Jaupaj: “Flamingo Mirror” do të pasqyrojë dokumentet dhe studimet mjedisore për projektet publike

Politikë | 51 minuta më parë

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ka dhënë detaje mbi funksionimin e platformës “Flamingo Mirror”, duke theksuar se synimi është t’i japë publikut akses më të drejtpërdrejtë te dokumentet dhe procedurat institucionale për çështje me interes publik.

Sipas Jaupajt, në platformë do të publikohen dokumente të institucioneve që lidhen me dosje të caktuara, ndërsa aktualisht fokusi është te dosja Sazan-Zvërnec (lexo këtu).

Në platformë pritet të përfshihen edhe pyetjet dhe shqetësimet e ngritura në media dhe në rrjetet sociale, veçanërisht për çështje që lidhen me investimet strategjike dhe zonat e mbrojtura.

“Kjo është një faqe për t’i dhënë publikut mundësi për t’u njohur me dokumentet dhe procedurat, pasi aty publikohen dokumente të institucioneve lidhur me dosjet e caktuara, aktualisht atë të Sazan-Zvërnecit. Publiku duhet të kuptojë ndarjen e përgjegjësive të institucioneve. Gjithashtu, do të publikohen pyetjet e ngritura në media dhe rrjetet sociale lidhur me investitorët strategjikë dhe zonat e mbrojtura. Faqja do të përditësohet me dokumente dhe zhvillime të reja, ku do të jenë edhe rezultatet e monitorimit mjedisor apo mënyra se si trajtohen ato në faza të ndryshme të projekteve të zhvillimit’, tha ai.

Një vëmendje e veçantë, sipas Jaupajt, do t’i kushtohet studimeve mjedisore, ku do të pasqyrohen vendimet dhe vlerësimet e ekspertëve, qëndrimet e organizatave mjedisore, si dhe konsultimet e zhvilluara në terren.

“I gjithë grupi i punës do të përfshijë sqarimet e dhëna, të mbështetura në ligj dhe dokumente. Kjo na ndihmon të kuptojmë më mirë se kur informacioni kërkon plotësim apo cilat çështje kërkojnë një sqarim më të qartë për publikun. Ky proces do të zhvillohet me transparencë të plotë, sidomos në studimet mjedisore, ku do të pasqyrohen vendimet e ekspertëve dhe organizatave mjedisore, por edhe konsultimet në terren”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme