Fieri, 167 fotografë në edicionin e 17-të të Fokus Award Albania, shpallen fituesit

Kulturë | 53 minuta më parë

Mbrëmja e ndarjes së çmimeve të Fokus Award Albania, në edicionin e 17-të të Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë, përmbylli një nga aktivitetet më të rëndësishme kushtuar fotografisë artistike. Në këtë festival konkuruan 167 fotografë nga 52 vende të botës, të përzgjedhur mes 560 konkurrentëve. Përmes imazheve, artistët sollën histori, emocione dhe realitete njerëzore që kapërcejnë kufijtë gjeografikë dhe kulturorë.

Themeluesi dhe drejtori i Festivalit, Arben Alliaj, u shpreh: “Kanë garuar për gjashtë kategori, dhe kategoria emblemë — ajo që nuk e quajmë gjithmonë tematike, por që shoqëron gjithë festivalin — është kategoria e transmetimit. Është ajo që shpesh quhet kategoria mbretërore, sepse përfshin të gjitha linjat e festivalit dhe temat e tyre.”

Albes Fusha, kurator, tha: “Në bashkëpunim me IPFA, që është Shoqata e Festivaleve të Fotografisë së Fëmijëve në Spanjë, Award përzgjodhi një artiste — Juliet Erkelenc. Ajo sjell foto dhe imazhe nga fëmijëria e saj.”

Këtë vit u shpallën fitues në gjashtë kategori. Çmimi i parë në kategorinë “Temë” iu dha fotografit iranian Keyhan Mohammadi, për veprën “Synthetic Respiration”. Në kategorinë “Press & News”, fitues u shpall fotografi palestinez Mohamad Abu Hamda, me veprën “Steps through Fire”, ndërsa në kategorinë “Wild World” u vlerësua shqiptari Edinjo Jahja, për fotografinë “Stillness”.

Që prej themelimit, Fokus Award Albania ka mirëpritur më shumë se 6 mijë artistë, ndërsa rreth 2 mijë e 400 autorë kanë qenë pjesë e ekspozitave dhe aktiviteteve të festivalit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme