Dhunë në urgjencën e QSUT, mjekët: Urgjenca të trajtohet si institucion i rëndësisë së veçantë
Në spitale, përballja me urgjencat mjekësore shndërrohet herë pas here në një rrezik real për jetën dhe sigurinë e vetë bluzave të bardha. Agresioni i pacientëve apo i familjarëve të tyre, i cili shpesh nis me fyerje dhe konflikt verbal, degjeneron jo rrallëherë deri në dhunë fizike.
Një tjetër episod i rëndë u shënua këtë javë në Urgjencën Polivalente të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), ku një mjek dhe stafi i infermierëve në detyrë u sulmuan nga një 25-vjeçar.
Mjeku i dëmtuar, Dr. Elton Dervishi, rrëfen për RTSH-në detajet e ngjarjes, duke bërë me dije se i riu – i cili po festonte ditëlindjen dhe kishte konsumuar alkool të përzier me lëndë narkotike – u solli nga Urgjenca Kombëtare në gjendje të rënduar psiko-motorike, çka e bëri thuajse të pamundur dhënien e ndihmës së shpejtë.
“Urgjenca është bërë një vend ku ngjarje të tilla ndodhin shumë shpesh. Pacienti erdhi krejtësisht i agjituar. Ndërsa ishte i shtrirë në krevat, nuk na lejonte ta ekzaminonim apo t’i gjenim venat për serumet. Reagoi shumë keq. U përpoqëm ta mbani një herë, dy herë ra nga barela, e mbajtën punonjësit. Në momentin që menduam se u qetësua, u çua papritur dhe goditi të gjithë kush i doli përpara — mes të cilëve isha edhe unë. Duheshin mbi 10 persona dhe ndërhyrja e patrullës së policisë për ta neutralizuar. Duheshin dy orë që situata të vihej në kontroll.” thotë Dr. Elton Dervishi, mjek pranë QSUT.
Mjekët kërkojnë që urgjencat spitalore të trajtohen me statusin e institucioneve të rëndësisë së veçantë dhe të zbatohen protokolle të rrepta sigurie për të garantuar ushtrimin e detyrës në kushte normale.
“Të trajtohemi si si institucion i rëndësisë së veçantë. Siguria të ketë protokolle. Mos futen njerëz të axhituar të pashoqëruar nga siguria. Ata që vijnë të axhituar të kenë dhomë më vete. Për shembull mos të jetë me të sëmurë të tjerë. Herën e fundit që kemi bërë mbledhje me drejtoreshën është treguar e gatshme dhe po lëvizin gjërat. Tani shpresojmë që të lëvizin në drejtimin e duhur.”, tha mjeku Dervishi.
Që prej vitit 2019 , Kodi Penal ashpërsoi dënimin për dhunën ndaj mjekëve me masën arrest me burg që shkon nga 1 deri në 5 vite kur mjeku sulmohet për shkak të detyrës ndërsa kur ndodh në ambjentet e institucionit, dënimi parashikohet nga 3-5 vite.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





