Protesta në Hagë, Rama: Asgjë tjetër përveç drejtësisë, për Kosovën dhe Çlirimtarët e saj

Kosovë | 1 vit më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish pas protestës së mbajtur të dielën (14 shtator) në Hagë, ku qindra shqiptarë u mblodhën pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri ndau një imazh ku shfaqej fotografia e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e rrethuar nga flamuj të UÇK-së. Në sfondin e pankartës bie në sy fjala “DREJTËSI”, e shkruar me shkronja të mëdha, si një mesazh i qartë dhe i fuqishëm për kauzën e organizatorëve të protestës.

“Drejtësi pra drejtësi, vetëm drejtësi, asgjë më shumë se sa drejtësi dhe asgjë tjetër përveç drejtësisë, për Kosovën dhe Çlirimtarët e saj,” shkroi Rama.

Më herët, në nisjen e kësaj proteste, kryeministri u shpreh në një tjetër postim se me mendje dhe zemër ndodhej pranë protestuesve.

“Liria ka emër! Me zemër e mendje jam edhe unë atje sot, Komandant! Liri për çlirimtarët,” shkroi Rama, duke përcjellë pamje nga grumbullimi i qytetarëve që po i drejtoheshin vendit të protestës.

Shqiptarë nga vende të ndryshme të botës, me mbështetjen e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, u mblodhën pranë godinës së Gjykatës Speciale në Hagë për të shprehur mbështetjen ndaj ish-liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Me pankarta në duar, këngë patriotike, veshje me motive ushtarake dhe thirrje për drejtësi, protestuesit përcollën mesazhe të shumta në Hagë.

Protesta u zhvillua një ditë para se të nisë paraqitja e provave nga mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme