Lamtumirë Fatos Nano! Shqipëria përcjell me nderime e ceremoni shtetërore ish-kryeministrin. Sot Ditë Zie Kombëtare
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, u përcoll sot për në banesën e fundit në një ceremoni shtetërore të mbushur me dhimbje, nderim dhe respekt.
Në ceremoninë mortore morën pjesë qindra qytetarë, familjarë, miq, kolegë, politikanë të të gjithë spektrit politik, trupa diplomatike, përfaqësues të besimeve fetare, si dhe figura të njohura nga fusha e artit, kulturës dhe medias, për të nderuar një nga arkitektët e politikës moderne shqiptare.
Në nder të figurës së tij, qeveria shqiptare shpalli 2 nëntorin Ditë Zie Kombëtare. Flamujt në të gjitha institucionet publike dhe shtetërore u ulën në gjysmë shtizë, ndërsa në mesditë u mbajt një minutë heshtje në të gjithë vendin.
Të gjitha aktivitetet publike u ndërprenë për të respektuar kujtimin e ish-kryeministrit, i cili u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare.
Arkëmorti i Fatos Nanos u përcoll me nderime nga Garda e Republikës së Shqipërisë, në një ceremoni solemne që u zhvillua në ambientet e Kryeministrisë. Pas përfundimit të ceremonisë shtetërore, kortezhi funebër u drejtua për në varrezat e Sharrës, ku trupi i tij u vendos për pushim të përjetshëm, në një ceremoni private familjare.
Ceremonia u shoqërua me muzikë funebre nga Radiotelevizioni Publik Shqiptar, duke krijuar një atmosferë të thellë respekti për figurën e njeriut që shënoi dekada të tëra të politikës shqiptare.
Në nder të ish-kryeministrit mbajtën fjalime bashkëshortja e tij Xhoana Nano, djali Sokol Nano, si dhe Kryeministri Edi Rama, të cilët përshkruan figurën e tij si një njeri me vizion, guxim, dhe integritet të jashtëzakonshëm, që i dha formë rrugës së re të socialdemokracisë shqiptare.
Më 25 gusht 2023, Fatos Nano u nderua nga Kryeministri Edi Rama me “Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike”, si shenjë vlerësimi për kontributin e tij në ngritjen e institucioneve demokratike, promovimin e tolerancës politike dhe rolin e tij vendimtar në momentet kyçe të jetës shoqërore dhe kombëtare.
Fatos Nano do të mbahet mend si një figurë qendrore e së majtës shqiptare, themelues i Partisë Socialiste dhe një burrë shteti që i dha tonin modernizimit politik të Shqipërisë.
Në kujtesën e shqiptarëve, ai do të mbetet një lider me vizion europian, i cili besoi te liria, shteti dhe njeriu, duke lënë pas një trashëgimi të vyer politike dhe njerëzore.
Ora 12:45/ Lamtumirë Fatos Nano! Ish-kryeministri përcillet për në banesën e fundit
Arkmorti i ish-kryeministrit Fatos Nano përcillet për në banesën e fundit, në varrezat e Sharrës, gjatë një ceremonie private familjare.
Pas përfundimit të ceremonisë shtetërore, kortezhi funebër do të shoqërojë të ndjerin drejt vendit ku do të prehet.
Ceremoninë e përcolli me muzikë funebre Radiotelevizioni Publik Shqiptar, duke krijuar një atmosferë respekti dhe nderimi për figurën e Nanos.
Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e lamtumirës për ish-kryeministrin Fatos Nano, duke përkujtuar me emocione të thella jetën dhe veprën e tij.
Rama përkujtoi pasionin dhe integritetin e Nanos, forcën e tij për t’i qëndruar besnik parimeve edhe në momentet më të vështira, dhe mënyrën se si ai frymëzonte të gjithë rreth tij për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë dhe më të qytetëruar.
Në një fjalim të ngarkuar me emocione dhe reflektime personale, Rama përshkroi figurën e Nanos si njeriun që udhëhoqi tranzicionin e së majtës shqiptare, duke e çliruar nga e shkuara komuniste dhe duke e bashkuar me botën demokratike. Ai foli për guximin, vizionin dhe dashurinë e Nanos për Shqipërinë, duke e cilësuar atë si një “njeri vlerash që e admiruan edhe ata që e kallën në burg”.
Nano, sipas Ramës, nuk ishte thjesht një politikan, por një figurë që la gjurmë të thella në historinë e vendit dhe në kujtesën e shqiptarëve. Ai theksoi rolin kyç të Fatos Nanos në historinë politike dhe kombëtare të vendit, duke nënvizuar ndihmën që dha për UÇK-në dhe për nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, që solli paqe e stabilitet në rajon.
Kryeministri kujtoi edhe burgosjen e padrejtë e Nanos, që e bëri atë një figurë të pathyeshme dhe të pakonkurrueshme brenda Partisë Socialiste.
Sipas tij, Nano ishte themeluesi i familjes socialiste dhe njeriu që i dha një drejtim të ri së majtës shqiptare në momentet më të errëta të historisë moderne të vendit.
“Mos të them lamtumirë, po thjesht: mos vdeksh kurrë, Fatos Nano”, ishin fjalët përmbyllëse të Ramës.
Në ceremoninë shtetërore të homazheve në nder të ish-kryeministrit dhe themeluesit të Partisë Socialiste, Fatos Nano, djali i tij, Sokol Nano, mbajti një fjalim prekës, ku shprehu mirënjohje për nderimet dhe përkujdesjen që iu tregua babait të tij në ditët e fundit.
“Jam thellësisht i prekur nga përkujdesja që ka ndjerë nga ju për babin tim në këto ditë të vështira. Në emër të familjes, ju shpreh mirënjohjen shqiptarëve kudo që ndodhen. Sot Fatos Nano, babai, bashkëshorti, miku, lideri ikën nga kjo botë fizikisht,” tha Sokol Nano.
Ai e përshkroi të atin si një njeri vizionar, që i qëndroi besnik parimeve të demokracisë dhe lirisë.
“Im atë ishte i pari që më foli për demokracinë. I pari që nuk e kishte frikë humbjen sepse ishte një kalorës. Ai më mësoi garën e vërtetë, udhëheqjen si përgjegjësi, ringritjen. Ishte njeri shumëdimensional, më foli për gjithçka, Shqipërinë evropiane dhe lirinë, sepse ai e donte demokracinë si frymë dhe jo si slogan,” tha ai.
Sokol Nano theksoi se babai i tij ishte një njeri i drejtë, tolerant dhe i aftë të bashkonte përmes dialogut, duke e përkufizuar si një burrë shteti që jetoi për idealet e tij.
“Ishte i butë dhe tolerant me këdo që mendonte ndryshe. Brilant në argument. I ashpër dhe i drejtë kur kërkohej vendim dhe kurajo. Sot i them lamtumirë tim eti dhe faleminderit për trashëgiminë e vyer që na la. Do ta kujtojmë si baba, si shok dhe si burrë i madh shteti që vuri përgjegjësinë përballë vetes,” përfundoi Sokol Nano.
Bashkëshortja e ish-kryeministrit Fatos Nano, Xhoana Nano, mbajti një fjalim të ndjerë për të shprehur dhimbjen dhe mirënjohjen për bashkëshortin e saj.
Në fjalimin e saj, ajo kujtoi Nano si një njeri që nuk donte kurrë të shtirej dhe e urrente populizmin, duke vepruar gjithmonë sipas bindjeve të tij dhe duke besuar tek ato që bënte.
“Ai besonte me shpirt tek vlerat europiane,” tha Znj.Nano.
Ajo e përshkroi Fatosin si një njeri me zemër të madhe, i cili dinte të falte dhe nuk kërkonte hakmarrje, madje edhe pas vuajtjeve dhe burgimit të padrejtë.
Me zërin që i dridhej dhe sytë e mbushur me lot, Znj. Nano, tha se sot ndahet me njeriun që më mësoi të dashuroj një Shqipëri ndryshe.
Duke kujtuar fillimet e marrëdhënies së tyre, Xhoana tha se ishte ende një vajzë e re kur u dashurua me Fatosin, një dashuri që nuk ishte vetëm për njeriun, por edhe për idealet e tij.
“Dita e sotme është dita më e errët dhe e trishtuar e jetës, po ndahem me njeriun me të cilin kalova një çerek shekulli jetë, më lidhen shumë e shumë ëndrra, shpresa e zhgënjime të përbashkëta. Sot është një nga ato ditë që s’do dëshiroja ta jetoja kurrë, e tillë është kjo ditë edhe për fëmijët tanë. Këtu e një çerek shekulli më parë unë, një vajzë fare e re me intuitën e moshës së pafajshme, rashë në dashuri me Fatosin. Atëherë nuk e kuptoja pse, por tani e di: kisha rënë në dashuri jo thjesht me Fatosin si person, por shumë më shumë se kaq. Kisha rënë në dashuri me vizionin e një Shqipërie ndryshe, komplet tjetër nga ajo që jetonim asaj kohe, të një Shqipërie që lipej të largohej me urgjencë nga tradita shekullore e barbarisë dhe të fitonte një kurs tjetër, civil, modern dhe europian. Të gjitha këto do t’i gjej te Fatosi”, tha Znj. Nano.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me bashkëshorten e tij, Linda Rama, kanë zhvilluar homazhe në nder të ish-kryeministrit Fatos Nano.
Ata u përkulën para figurës historike të Nanos, duke theksuar kontributin e tij në konsolidimin e demokracisë shqiptare dhe rolin e tij si lider në tranzicionin politik të vendit.
Ceremonia e homazheve u zhvillua në atmosferë respekti dhe nderimi, nga e gjithë klasa politike, trupa diplomatike, krerët e besimeve fetare si dhe qytetarë dhe miq të shumtë. Gjithashtu është mbajtur edhe një minutë heshtje në nder të ish-kryeministrit Fatos Nano.
Ora 12:02/ Spiropali homazhe për Fatos Nanon: Nderim figurës historike, i cili sakrifikoi pushtetin për të konsoliduar shtetin

Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, i ka bërë homazhe ish-kryeministrit Fatos Nano, duke vlerësuar kontributin e tij historik në jetën politike shqiptare.
“Lamtumirë Fatos Nano! Nderim kryetarit që udhëhoqi ndarjen historike të së majtës shqiptare nga e shkuara komuniste, drejt një fryme e partie të hapur, europiane, progresiste. Nderim kryeministrit që, në kohë nga më të vështirat, doli mbi veten duke sakrifikuar pushtet për të konsoliduar shtetin.
Nderim atij që iku pa zhurmë, bujë e zvarritje, duke themeluar institucionin e dorëheqjes e kalimit paqësor të pushtetit”, shkruan Spiropali.
Homazhet kryen ndërsa Shqipëria po i jep lamtumirën përfundimtare figurës historike të tranzicionit shqiptar, Fatos Nano.
Ora 11:38/ Homazhe për Fatos Nanon edhe nga politika e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe Ali Ahmeti, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, kanë marrë pjesë në homazhet për ish-kryeministrin Fatos Nano.
Të dy politikanët përkujtuan kontributin e Nano-s në jetën politike shqiptare dhe rolin e tij historik në tranzicionin politik dhe demokratik të vendit.
Në homazhet për ish-kryeministrin Fatos Nano, Gramoz Ruçi e përshkroi atë si themelues, reformues dhe demokratizues të Partisë Socialiste. Ai theksoi kontributin e Nano-s si lider i PS-së për 14 vite, duke përballuar sfida të mëdha: katër vite izolim dhe tetë vite në pushtet, në dekadën e parë të themelimit dhe transformimit të partisë.
“Nano duhet parë si themelues i Partisë Socialiste, si reformues i saj dhe si demokratizues i vërtetë i partisë. Ai ishte lider i PS-së për 14 vite, në të cilat përballoi sfida të mëdha: katër vite në izolim dhe tetë vite duke mbajtur forcën politike në pushtet, pikërisht në dekadën e parë të themelimit dhe transformimit të partisë një kontribut që nuk ka precedent në vendet e Evropës Lindore.
Ai ishte i pari që, pas humbjes në zgjedhjet e fundit, dha dorëheqjen e parevokueshme, duke lënë të lirë forcën politike dhe gjeneratën e re për të marrë drejtimin e Partisë Socialiste. Nano sakrifikoi pushtetin për të ndërtuar shtetin dhe e bëri këtë premtim realitet”, tha Ruçi.
Ruçi vuri në dukje se Nano ishte i pari që, pas humbjes në zgjedhjet e fundit, dha dorëheqjen e parevokueshme, duke i dhënë hapësirë forcës politike dhe gjeneratës së re për të udhëhequr partinë. Ai e përshkroi Nano-n si një shembull të një lideri që sakrifikoi pushtetin për ndërtimin e shtetit, duke e bërë këtë premtim realitet.
“Nano do të mbahet mend si një qytetar ekselent, intelektual i klasit të parë dhe politikan i rrallë, si dhe si i pari politikan shqiptar që u përball me persekutim për katër vite në demokraci. Kujtimi i tij do të mbetet i paharrueshëm. I paharruar kujtimi vëllait tim dhe kryetarit tim njëherësh Fatos Nano”, tha Ruçi.
Ora 11:15/ Ish-presidentët si dhe politikanët zhvillojnë homazhe për Fatos Nanon

Në nder të ish-kryeministrit Fatos Nano, figura qeveritare, ish-presidentët Rexhep Mejdani, Alfred Moisu, Bamir Topi, deputetë të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe partive të tjera kanë zhvilluar homazhe dhe kanë bërë nderimet e fundit.
Mes pjesëmarrësve ishin emra të njohur të politikës shqiptare, si Gramoz Ruçi, Elisa Spiropali, Taulant Balla, Bledi Çuçi, Ogerta Manastirliu, Lulzim Basha, Anila Denaj, si dhe shumë politikanë të tjerë.
Të pranishmit përkujtuan Nanon si një figurë historike të tranzicionit shqiptar, që la gjurmë të rëndësishme në zhvillimin politik dhe institucional të vendit.
Ora 10:58/ Tedi Blushi kujton Fatos Nanon: Figurë kyçe e tranzicionit politik shqiptar
Në homazhet për ish-kryeministrin Fatos Nano, Tedi Blushi, në emër të Ilir Metës dhe Partisë së Lirisë, ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e tij.
Blushi e përshkroi Nano-n si një figurë kyçe të tranzicionit politik shqiptar dhe një lider që kontribuoi në transformimin e Partisë së Punës në një parti socialdemokrate evropiane.
Ai theksoi dy qëndrimet më të rëndësishme të Nano-s: lirimin e pushtetit për të ndërtuar shtetin dhe organizimin e zgjedhjeve të lira, të cilat sipas Blushit janë shembuj që sot duhet të udhëheqin të majtën shqiptare.
“Në emër të Ilir Metës dhe Partisë së Lirisë shprehem ngushëllimet më të sinqerta për familje. Zoti Nano ishte një figurë kyçe e tranzicionit politik shqiptar dhe pati meritën e transformimit të partisë së Punës në një parti socialdemokrate evropiane. Dy qëndrimet e tij për të lënë pushtetin për të ndërtuar shtetin dhe organizmin e zgjedhjeve të lira janë dy qëndrime që sot duhet të udhëheqin të majtën shqiptare”, tha Blushi.
Në homazhet për ish-kryeministrin Fatos Nano, Petro Koçi ka përkujtuar kontributin e tij për Shqipërinë dhe rajonin.
Koçi e përshkroi Nanon si një figurë me shpirt socialdemokrat, i përkushtuar për të ringritur vendin pas krizës së vitit 1997 dhe për ta kthyer në një shtet normal dhe qytetar. Ai theksoi intelektin dhe qytetarinë e pakonkurueshme të ish-kryeministrit, duke përmendur edhe përballimin e sfidave politike me Sali Berishën.
“Me shpirt socialdemokrat, Fatos Nano ishte gjithmonë i përkushtuar për zhvillimin e Shqipërisë, duke e nxjerrë nga gjurmët e vitit ’97 dhe duke e kthyer në një qytet normal dhe qytetar. Ishte dhe mbeti një person me intelekt dhe qytetari të pakonkurueshme, i cili përballoi me dinjitet politikën e egër të burgosjes të Sali Berishës”, tha Koçi.
Sipas Koçit, Nano ishte një patriot i madh, i cili jo vetëm që ringriti shtetin pas ’97, por kontribuoi edhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Fatos Nano ishte një patriot i madh, ai jo vetëm që ringriti shtetin e rrënuar në ’97, por i dha edhe shpirt çlirimtar dhe armë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Takimi i përfolur me Millosheviçin duhet të shihet si një paradhomë e marrëveshjes së Rambujesë, ishte shembull i diplomacisë dhe kurajës shtetëror, një takim i koordinuar me partnerët tanë gjeopolitikë”, tha Koçi
Deputeti socialist Erion Braçe mori pjesë sot në homazhet për ish-kryeministrin Fatos Nano, të cilin e kujtoi me respekt dhe mirënjohje për rolin e tij në formimin e brezave të rinj brenda Partisë Socialiste.
Ai la gjithashtu një shënimin në Librin e Ngushëllimeve, ndërsa vlerësoi për mediat kontributin e tij dhe shkëputjen e partisë nga e shkuara.
“Nano na dha mundësinë të rriteshim, të punonim për t’u zhvilluar dhe për të bërë karrierë brenda PS. I dha lirinë e nevojshme që të bëheshim njerëz më të mirë. E bënë dhe një parti më të mirë se ajo që trashëguam”, tha Braçe.
Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka dhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu zhvilluan sot homazhe në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano, duke shprehur respekt dhe kujtime personale për jetën dhe veprën e tij.
“Jemi njohur që në 2000 bashkë dhe ruaj kujtime të mrekullueshme. Nano vdiq kur i vdiq pjesa më e mirë e tij, truri”, tha Duka.
Ndërsa Fatmir Mediu e përshkroi Nanon si një figurë të mendimit dhe tolerancës.
“Si një njeri i mendimit dhe tolerancës, një kundërshtar me të cilin edhe kur debatoje duhet të mendoje thellë. Ai kishte kontribute në jetën politike të vendit. Asnjë nuk ishte perfekt, por Nano kishte tolerancën që pak politikanë shqiptarë e kanë”, tha Mediu.
Ora 09:37 / Politikanët e mazhorancës dhe opozitës zhvillojnë homazhe për Fatos Nanon
Figura të njohura të politikës shqiptare, mes tyre Agron Duka, Fatmir Mediu, Arben Malaj si dhe kryebashkiaku i Elbasanit, Gentian Llatja, kanë zhvilluar sot homazhe në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano.
Të pranishmit kanë shprehur respektin e tyre për kontributin politik dhe publik të Fatos Nanos në tranzicionin demokratik të Shqipërisë dhe në ndërtimin e institucioneve të shtetit shqiptar.
Ora 09:16 / Ish-truproja: Fatos Nano do të ngelet në zemrën e njerëzve të thjeshtë
Pas zhvillimeve të homazheve, ish-truproja Viktor Agolli, shprehu ngushëllimet për ish-kryeministrin Fatos Nano. Ai tha gjithashtu se Nano do të mbetet në zemrën e njerëzve të thjeshtë.
“Njeriu që ndoqi parimet e veta për një Shqipëri të demokratizuar dhe tolerante. Është ai Fatos Nano që i njohu dorëheqjen dhe nuk e kthye më kurrë në politikë. I mori njerëzit nga rruga dhe i bëri ministra. Kishte miq nga Bill Clinton dhe shumë të tjerë. Ishte burrë shteti. Pengu jonë ishte që nuk u zgjodh president në 2007 edhe në 2012. Ky ishte pengu jonë, i atij ndoshta jo, por i joni po. Ngushëllime familjes dhe Fatos Nano do të ngelet në Fatos Nano do të ngelet në zemrën e njerëzve të thjeshtë dhe për ne grupi i shoqërimit të tij”, tha ai.
Ora 08:20/ Arkëmorti mbërrin në Pallatin e Kongreseve
Arkëmorti me trupin e pajetë të ish-kryeministrit Fatos Nano mbërriti në Pallatin e Kongreseve i shoqëruar nga garda e Shqipërisë.
Ish-kryeministrit Fatos Nano do i jepet lamtumira e fundit nga qytetarët, miqtë dhe kolegët e tij ndër vite, duke nderuar kontributin e tij për vendin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




