Zbardhet vendimi/ Qeveria ndan bonusin e fundvitit për pensionistët, 15 mijë lekë për pensionet e ulëta, 10 mijë për të tjerët

Sociale | 11 muaj më parë

Këshilli i Ministrave ka miratuar zyrtarisht vendimin për shpërblimin e fundvitit për pensionistët për vitin 2025. Vendimi, i cili mbështetet në ligjin për buxhetin e ri, parashikon një fond total prej mbi 10.4 miliardë lekësh dhe e ndan masën e përfitimit në dy fasha kryesore, bazuar në lartësinë e pensionit mujor që marrin të moshuarit.

Sipas vendimit të qeverisë, pagesat do të nisin të shpërndahen gjatë muajit Dhjetor 2025.

Kush përfiton 15,000 Lekë (të reja)

Fasha e parë, e cila do të marrë shpërblimin më të lartë prej 15 mijë lekësh, përfshin kategoritë më vulnerabël dhe ata me të ardhura më të ulëta. Në këtë grup bëjnë pjesë:

  • Pensionistët që marrin pension pleqërie deri në 20,000 lekë (përfshirë edhe ata që marrin fiks 20 mijë).
  • Personat me pension invaliditeti.
  • Personat me pension familjar dhe pension social.
  • Fëmijët në përkujdesje të Republikës.
  • Veteranët e LANÇ-it.
  • Ish-minatorët, naftëtarët dhe metalurgët, pensioni i të cilëve është nën ose baraz me 20,000 lekë.
  • Ushtarakët dhe policët në pension të parakohshëm (që nuk janë të punësuar) dhe e kanë pensionin nën 20,000 lekë.

Kush përfiton 10,000 Lekë (të reja)

Fasha e dytë përfshin pensionistët me të ardhura më të larta se kufiri i përcaktuar. Këta do të përfitojnë një bonus prej 10 mijë lekësh.

Këtu përfshihen:

  • Të gjithë pensionistët që marrin pension pleqërie mbi 20,000 lekë.
  • Ish-minatorët, naftëtarët dhe metalurgët me pension mbi 20,000 lekë.
  • Personat që përfitojnë pensione speciale shtetërore apo për funksione kushtetuese.
  • Ushtarakët dhe policët në pension të parakohshëm me pagesë mbi 20,000 lekë.

Afatet e tërheqjes

Vendimi saktëson se paratë do të kalojnë në llogaritë e pensionistëve brenda muajit dhjetor. Megjithatë, për ata që nuk mund ta tërheqin në kohë, qeveria ka lënë një afat të gjatë: pagesat mund të tërhiqen deri më datën 30 qershor 2026.

Pas kësaj date, bonusi digjet dhe nuk mund të merret më. Administrimi dhe shpërndarja do të kryhet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) në bashkëpunim me Postën Shqiptare dhe bankat e nivelit të dytë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme