Kurti falenderon qytetarët për mandatin e ri qeverisës: Fitore historike!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur mirënjohje të thellë për qytetarët që i dhanë besimin e tyre në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke e rizgjedhur në krye të qeverisë për një mandat të ri. Në një deklaratë pas fitores, Kurti falënderoi edhe diasporën për mbështetje, duke e cilësuar këtë fitore si historike.
“Mirëdita të dashur qytetarë, Në dhjetë ditë fushatë, dhjetëra mijëra duar të shtrënguara e mijëra dyer të hapura nga ju në qindra takime e tubime anembanë. Na pritët me ngrohtësi e besim, e për këtë ju falënderoj përzemërsisht. Jeni shumë, madje aq shumë sa shumicës nuk ua njohim e dimë emrin. Dhe, u angazhuat pa kursim për fitoren e VETËVENDOSJE!-s me partnerë, për fitoren tuaj.
Të dashur bashkatdhetarë që erdhët nga Evropa, Amerika e nga çdo cep i botës, ose që votuat me postë apo fizikisht pardje në ambasadat e konsullatat tona, u jemi mirënjohës përjetë për kontributin tuaj të pamatshëm për liri e shtet dhe komb, si dhe për përkrahjen vendimtare që e bëri fitoren në këto zgjedhje aq madhështore saqë historike.
Puna vazhdon, siguria e begatia do të shtohen. Na priftë e mbara!”, shkruan Kurti.
Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forcë e parë në zgjedhjet e parakohshme, duke siguruar rreth 50% të votave, dhe tashmë Kurti ka marrë numrat e nevojshëm për të formuar qeverinë, duke i dhënë fund një periudhe ngërçi politik që ka zgjatur 9 muaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




