Kurti: E ardhmja e Kosovës e orientuar fuqishëm drejt Bashkimit Evropian

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se e ardhmja e Kosovës është e orientuar fuqishëm drejt Bashkimit Evropian.
Një ditë pas zgjedhjeve, përmes platformës X, ai falënderoi të gjithë qytetarët që ushtruan të drejtën e tyre për të votuar, si dhe të gjithë ata që kontribuuan për një proces zgjedhor të lirë, të drejtë dhe pa incidente.
“Jemi mirënjohës për mbështetjen ndërkombëtare gjatë gjithë këtij procesi, nga Bashkimi Evropian, vendet individuale dhe organizatat ndërkombëtare, të cilat vazhdojnë të mbështesin përparimin demokratik të Kosovës,” tha Kurti.
Ai shtoi se qytetarët e Kosovës i dhanë një mandat të fuqishëm, duke theksuar se është nder të fitosh besimin e popullit, veçanërisht pas përfundimit të mandatit të parë të plotë në historinë e vendit. Kurti gjithashtu falënderoi partitë motra dhe lëvizjet progresive, duke theksuar angazhimin për ndërtimin e një shoqërie ku dinjiteti dhe mirëqenia e njerëzve janë në qendër.
“E ardhmja e Kosovës është e begatë dhe e orientuar fuqishëm drejt Bashkimit Evropian,” përfundoi ai.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




