Berisha mbledh tryezën e opozitës dhe shoqërisë civile: Qeveria teknike, garancia për zgjedhje të lira

Politikë | 9 muaj më parë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në tryezën e organizuar nga PD me pjesëmarrjen e partive të opozitës, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe intelektualëve, e cilësoi këtë takim si një moment përcaktues për të ardhmen e vendit.

Berisha falënderoi të pranishmit dhe theksoi rëndësinë e ndërtimit të një fronti të përbashkët opozitar përballë situatës që ai e konsideroi kritike.

“Bashkimi i forcave është përgjigjja më e duhur dhe përgjegjësia më e madhe ndaj vendit dhe kombit”, u shpreh ai.

Kreu i PD-së akuzoi qeverinë dhe deklaroi se zgjedhjet në Shqipëri nuk janë më të lira dhe se vendi ndodhet në një moment kritik për demokracinë.

 “Proceset zgjedhore janë të ngjashme me ato të periudhës së Enver Hoxhës, por me pluralizëm fiktiv. Edhe vëzhgues nga Parlamenti Evropian kanë deklaruar se krimi i organizuar nuk lejon rotacionin politik dhe mban në pushtet Edi Ramën”, theksoi Berisha.

Në këtë kontekst, ai bëri thirrje për një përpjekje të gjerë qytetare për largimin e qeverisë aktuale dhe kërkoi krijimin e një qeverie teknike me dy objektiva kryesore: përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe mosndërhyrjen në sistemin e drejtësisë.

“Kërkojmë qëveri teknike, thjesht me dy objektiva. Së pari përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ne forca politike opozitare nuk vijmë në pushtet me dhunë, por me vullnetin e shqiptarëve. Ne jemi të sigurt se ne i fitojmë zgjedhjet. Nëse nuk do të falte 2 mld euro gjoba e kamata dy ditë para zgjedhjeve. Nëse nuk do të shpërndante 100 euro për 700 mijë votues..etj. Pra çfarë kërkojmë ne? Të votojmë të lirë e të qetë. Kërkojmë që krimi elektoral të shpallet krim i rëndë dhe ata që rrinë duarkryq ndaj krimit elektoral, ndryshe Shqipëria …historia ka aprovuar se zgjedhjet e lira dhe demorkacia ëhtë i vetmi sistem që krijon e ndërton të ardhmen. Ju bëj thirrje të gjithë atyre që na ndjekin, të përmbushim misionin tonë: Përmbysja e kësaj qeverie dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira. Së dyti, kemi detyrë të mos pengojmë drejtësinë. Drejtësia nuk është e pagabueshme por drejësia nuk pengohet”, tha Berisha.

Ai shtoi se opozita kërkon të vijë në pushtet vetëm përmes vullnetit të qytetarëve.

“Krimi elektoral duhet të shpallet krim i rëndë. Mosndëshkimi i tij rrezikon të ardhmen e vendit. Zgjedhjet e lira dhe demokracia janë i vetmi sistem që krijon të ardhme”, u shpreh Berisha.

Në lidhje me drejtësinë, kreu i PD-së theksoi se një qeveri teknike duhet të mbajë duart larg sistemit gjyqësor.

“Pavarësisht problemeve dhe mangësive që ka, drejtësia nuk duhet të përdoret kundër opozitës. Rezoluta ndërkombëtare e kanë cilësuar drejtësinë shqiptare si të politizuar”, tha ai.

Berisha garantoi se Partia Demokratike do të jetë e vendosur për bashkëpunim me të gjitha forcat opozitare dhe shoqërinë civile për realizimin e objektivit kryesor: krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme