Malaj mirëpret ambasadorin amerikan në NATO, në fokus siguria euroatlantike dhe investimet në mbrojtje

Ministri i Financave, Petrit Malaj, priti në një takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, së bashku me delegacionin që e shoqëronte.
Ministri Malaj theksoi angazhimin e Shqipërisë për të vijuar përpjekjet në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe rritjen e qëndrueshmërisë kombëtare:
“Shqipëria mbetet e vendosur në përmbushjen e angazhimeve të saj në kuadër të Aleancës Euroatlantike, duke vijuar përpjekjet për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe rritjen e qëndrueshmërisë kombëtare.”
Ai shtoi se vendi do të kontribuojë në mënyrë progresive në rritjen e investimeve në fushën e mbrojtjes, duke përmendur objektivin e përbashkët të vendeve anëtare për të arritur nivelin deri në 5% të PBB-së deri në vitin 2035:
“Shqipëria do të vijojë të kontribuojë në mënyrë progresive në rritjen e investimeve në fushën e mbrojtjes, në përputhje me angazhimin e përbashkët të vendeve anëtare për të arritur nivelin deri në 5% të PBB-së deri në vitin 2035, me fokus të veçantë në zhvillimin e industrisë ushtarake dhe inovacionit teknologjik.”
Sipas ministrit Malaj, ky orientim strategjik konsolidon më tej profilin e Shqipërisë si një partner i besueshëm dhe kontribues aktiv në NATO.
“Ky orientim strategjik konsolidon më tej profilin e Shqipërisë si një partner i besueshëm dhe kontribues aktiv në NATO.”
Në një reagim në rrjetet sociale, Malaj e cilësoi takimin si të rëndësishëm, duke nënvizuar se së bashku me Ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, u rikonfirmua partneriteti i konsoliduar strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si një shtyllë kyçe e arkitekturës së sigurisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




