Nis regjistrimi i votuesëve nga jashtë, KQZ e Kosovës apelon diasporën, publikon afatet e pjesëmarrjes

Kosovë | 6 muaj më parë

Qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësi që duke nisur nga e mërkura deri në datën 17 maj të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.  Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi bëri me dije se votimi në përfaqësitë diplomatike do të mbahet në datën 6 qershori.

 “Regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës do të fillojë nga dita e sotme 6 maj dhe do të përfundojë më 17 maj. Pra, gjatë kësaj periudhe 12 ditore të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për tu regjistruar si votues jashtë Kosovës, për të votuar qoftë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike apo për të votuar përmes postës. Në momentin e regjistrimit, aplikuesi mund të përzgjedh individualisht mënyrën se si dëshiron të votojë në këtë proces zgjedhor”, deklaroi ai.

Elezi gjithashtu kujtoi votuesit se kanë 12 ditë kohë  në dispozicion për procedurën e ndërrimit të qendrës së votimit.

 “Gjithashtu gjatë ditës së sotme, 6 maj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mundësojë ndërrimin e qendrës së votimit për votuesit brenda një komune të caktuar. Pra, gjatë kësaj periudhe nga data 6 maj deri më datë 17 maj për 12 ditë me radhë të gjithë votuesit mund të konfirmojnë adresën e tyre se ku janë të caktuar të votojnë më 7 qershor. Por, nëse duan, është në vullnetin e tyre që ta ndryshojnë atë brenda komunës përkatëse ku ata janë caktuar si votues”, shton ai.

Ndërkohë, deri në datën 7 maj subjektet politike kanë kohë që të njoftojnë komisionin qendror të zgjedhjeve nëse do të marrin pjesë apo jo në zgjedhje si dhe të bëjnë deklarimin përkatës nëse zgjedhin të garojnë si pjesë e një koalicioni.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme