Dasma gjirokastrite tërheq turistët, një spektakël bazuar në librin e Musine Kokalarit
Dasma tradicionale gjirokastrite, një prej krenarive të shumta të qytetit të gurtë, u risoll, për dy mbrëmje rresht, bazuar në librin e shkrimtares Musine Kokalari, ashtu siç ajo e ka paraqitur në librin e saj “Sa u tund jeta”, botuar vetëm disa muaj pas çlirimit të Shqipërisë.
Ky event synon mbajtjen gjallë të kësaj pjese të çmuar të identitetit tonë kombëtar por edhe prezantimin e tij tek turistët e shumtë që e vizitojnë Gjirokastrën.
“Flitet për zakonet, traditat e shumë viteve më parë që i ka vetëm Gjirokastra dhe ndryshojnë nga të tjerat dhe mundohemi që ti ruajmë këto tradita me qëllim që tja kujtojmë brezit të ri”, u shpreh Stefan Arseni, specialist kulture.
Ky event bëri bashkë artistë popullorë të këngës dhe valles tradicionale, por edhe aktorë amatorë që interpretuan të gjitha ritet e kësaj dasme, të cilat tërhoqën turistët.
“Vij nga Irlanda për herë të parë në Shqipëri dhe ajo që përjetuam sot në Gjirokastër ishte një mrekulli”, u shpreh një turist.
“Jam nga Austria, e kam shijuar shumë këtë shfaqje sonte ishte interesante dhe shumë argëtuese”, tha një turiste tjetër.
Nga organizatorët është hedhur ideja që spektakli i ngjyrave, këngëve valleve e riteve të kthehet në i përditshëm gjatë sezonit turistik. Ky organizim u mbështet nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia Gjirokastër.
Gazetare: Y. Ponde
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




