Kuadër i ri ligjor për shërbimet digjitale, Karakaçi: Më shumë siguri, transparencë dhe mbrojtje më e fortë për përdoruesit

Ekonomi | 3 muaj më parë

Rritja e përdorimit të platformave online, tregtisë elektronike dhe shërbimeve digjitale ka nxjerrë në pah nevojën për një kuadër të ri ligjor që garanton më shumë siguri, transparencë dhe mbrojtje për përdoruesit.

Projektligji “Për shërbimet digjitale në Republikën e Shqipërisë” synon të përafrojë plotësisht legjislacionin shqiptar me Aktin e Shërbimeve Digjitale të Bashkimit Evropian, si pjesë e procesit të integrimit evropian.

“Zhvillimet e avancuara, transformimi digjital kërkon dhe përshtatjen e një kuadri ligjor bashkëkohor, siç është ky që në fakt ne propozojmë për ju, gjithëpërfshirës, që promovon si zhvillimet inovatore, por që garanton gjithashtu respektimin e të drejtave themelore dhe parimet e mbrojtjes së konsumatorit, marrësit e shërbimeve digjitale kundrejt rregullave dhe vendosjes së rregullave të qarta, objektive, jo diskriminuese dhe proporcionale për ofruesit e shërbimeve digjitale dhe një mbrojtje më të mirë për konsumatorin në mjedisin digjital”, tha ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi.

Projektligji përcakton detyrime të reja për ofruesit e shërbimeve ndërmjetëse dhe krijon mekanizma për një mjedis online më të sigurt e më të besueshëm.

“Projektligji ‘Për shërbimet digjitale në Republikën e Shqipërisë’ ka për qëllim të kontribuojë në mirëfunksionimin e shërbimeve ndërmjetëse në Republikën e Shqipërisë, duke vendosur rregulla të harmonizuara për një mjedis online të sigurt, të parashikueshëm dhe të besueshëm, që i përgjigjet zhvillimeve teknologjike dhe përdorimit masiv të teknologjisë digjitale dhe shërbimeve online, duke siguruar mbrojtjen e të drejtave themelore, si dhe mbrojtjen më të mirë të konsumatorit“, tha ministri.

Sipas ministrit, nisma do t’i nënshtrohet edhe vlerësimit të Komisionit Evropian. Ai përbëhet nga 61 nene, prej të cilave 60 janë të përafruara plotësisht me Aktin e Shërbimeve Digjitale të Bashkimit Evropian dhe hartohet në kuadër të Kapitullit 10 të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme