Përballja me flakët, FA intensifikojnë operacionet në terren, izolohen disa vatra, Nufi: Nuk ka rrezik për banesat

Forcat e Armatosura po vijojnë pa ndërprerje angazhimin në terren për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit në disa rajone të vendit. Përmes një deklarate zyrtare, Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri me dije se situata po monitorohet nga afër dhe po ndërhyhet si nga ajri, ashtu edhe nga toka.
Ndërhyrja në Dibër, Pukë dhe Dajt
Sipas të dhënave zyrtare, një nga pikat më kritike ka qenë struktura e pyjeve në Gurë-Lurë të qarkut Dibër, ku përpjekjet e përbashkëta kanë bërë të mundur parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve.
“Në Gurë-Lurë zjarri është izoluar falë korridoreve të hapura. Vijon puna për shuarjen me 30 efektivë të FA dhe 2 avionë Air Tractor. Nuk ka rrezik për banesat,” bëri të ditur Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.
Përpjekjet po vijojnë me të njëjtin intensitet edhe në veri dhe në Shqipërinë Qendrore, ku mbështetja nga ajri ka qenë e domosdoshme për shkak të terrenit të thyer.
Tërbun, Pukë- Operacioni po zhvillohet me pjesëmarrjen e 30 efektivëve të FA-së dhe 2 helikopterëve. Zonat e banuara mbeten jashtë rrezikut.
Dajt, Tiranë- 50 efektivë dhe 1 helikopter po punojnë për izolimin e plotë të vatrës, pa rrezik për shtëpitë rreth e rrotull.
Stabilizimi i situatës në zonat suburbanë të kryeqytetit
Lajme pozitive vijnë nga zonat e tjera në periferi të Tiranës, ku ndërhyrja e shpejtë e emergjencave civile ka shmangur përshkallëzimin e situatës.
Sipas deklaratës së ministrit Nufi, vatra në zonën e Priskës tashmë ndodhet nën kontroll të plotë nga forcat e angazhuara, ndërsa vatra e zjarrit në Vakumone është izoluar tërësisht. Autoritetet konfirmojnë se strukturat e mbrojtjes civile do të qëndrojnë në gadishmëri të plotë deri në eliminimin e çdo rreziku riaktivizimi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



