Tre vatra zjarri aktive në Pukë, dy helikopterë dhe dhjetëra forca në terren
Tre vatra zjarri vijojnë të jenë në fokus të operacioneve të shuarjes në territorin e Bashkisë Pukë, në zonat e Malit të Tërbunit, Gojanit dhe Gjegjanit. Në Malin e Tërbunit situata është nën kontroll, ndërsa forcat në terren po monitorojnë zonën dhe po punojnë për eliminimin e vatrave të mbetura. Më dinamike paraqitet situata në zonën Gojan i Vogël–Gojan i Madh–Gjegjan, ku era e fortë favorizon përhapjen e flakëve. Megjithatë, deri tani nuk raportohet avancim i zjarrit në drejtim të banesave.
Për shuarjen e flakëve po ndërhyhet prej tre ditësh edhe nga ajri, me dy helikopterë, ndërsa në terren janë angazhuar dhjetëra zjarrfikës, forca të ushtrisë, punonjës të Policisë së Shtetit dhe vullnetarë.
Në operacion marrin pjesë 3 mjete zjarrfikëse dhe 15 efektivë nga Bashkia Pukë, 1 mjet dhe 7 efektivë nga Bashkia Fushë-Arrëz, si dhe 1 mjet e 3 efektivë nga Bashkia Shkodër. Në terren ndodhen gjithashtu 50 forca bashkiake, 40 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 50 vullnetarë. Forcat janë përqendruar kryesisht në Gojanin e Madh, Gojanin e Vogël dhe Gjegjan, për të frenuar përhapjen e zjarrit dhe për të garantuar mbrojtjen e zonave të banuara.
Njoftimi i plotë:
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër informon se, në mbështetje të Bashkisë Pukë dhe në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon angazhimi i strukturave vendore dhe qendrore për menaxhimin e vatrave të zjarrit në zonën e Malit të Tërbunit, Gojanit dhe Gjegjanit.
Në Malin e Tërbunit, situata paraqitet aktualisht nën kontroll, ndërsa forcat tokësore vijojnë punën për monitorimin dhe eliminimin e vatrave të mbetura.
Në zonën Gojan i Vogël – Gojan i Madh – Gjegjan, situata vijon të mbetet dinamike, e ndikuar nga era e fortë. Deri në këto momente nuk raportohet avancim i zjarrit në drejtim të banesave. Operacioni tokësor po mbështetet nga ajri prej 3 ditësh pa ndërprerje me 2 helikopterë, të angazhuar në zonat më problematike.
Në terren janë angazhuar:
– 3 mjete zjarrfikëse dhe 15 efektivë nga Bashkia Pukë;
– 1 mjet zjarrfikës dhe 7 efektivë nga Bashkia Fushë-Arrëz;
– 1 mjet zjarrfikes dhe 3 efektiv nga Bashkia Shjodër
– 50 forca bashkiake;
– 40 efektivë të Forcave të Armatosura;
– efektivë të Policisë së Shtetit
– 50 vullnetarë.
Forcat janë organizuar në disa drejtime operacionale, me fokus Gojanin e Madh, Gojanin e Vogël dhe Gjegjanin, për të kufizuar përhapjen e zjarrit dhe për të mbajtur të mbrojtura zonat e banuara.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër vijon koordinimin dhe monitorimin pa ndërprerje të situatës, me prioritet mbrojtjen e jetës dhe banesave, si dhe vënien e plotë nën kontroll të vatrave aktive.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




