“Kjo nuk është revoltë për arsimin”, Rama: Vullneti i popullit nuk mund të përmbyset me dhunë

Politikë | 42 minuta më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së dhunshme të mbrëmjes së djeshme, duke deklaruar se përpjekjet për të “përmbysur” qeverinë përmes dhunës dhe përplasjeve në rrugë përbëjnë në thelb një tentativë për të përmbysur vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë.

Gjatë një konference për mediat së bashku me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, Rama u ndal te pjesëmarrësit në protestë, duke i cilësuar ata si të radikalizuar dhe të udhëhequr nga ideja se përmbysja e rendit aktual do të sillte ndryshim.

Kryeministri theksoi se protestat paqësore janë një e drejtë demokratike, por sipas tij, dhuna ndaj efektivëve të policisë, institucioneve publike dhe pronës private nuk mund të justifikohet me asnjë kauzë politike apo sociale.

“Vajza dhe djem të bukur, por janë huliganë, të ekstremizuar dhe të gurit. Janë të verbuar nga ideja hajde ta kthejmë një herë përmbys, se pastaj do të bëhet më mirë. Çfarë do të kthejmë përmbys? Vullnetin e popullit? Si do të bëhet më mirë? Si mund të bëhet më mirë? Çfarë do të kthehet përmbys, vullneti i popullit?“, u shpreh Rama.

Duke iu rikthyer tezës së përmbysjes së vullnetit të qytetarëve, kreu i qeverisë ngriti pyetjen nëse dhuna dhe aktet e vandalizmit mund të përdoren si mjet për të sfiduar rezultatin e zgjedhjeve.

“Vullneti i popullit do të kthehet përmbys? Si mund të ndodhë kjo? Me gurë? Me zjarr? Me shkatërrim institucionesh dhe biznesesh? Kjo nuk e bën Shqipërinë më të mirë dhe nuk sjell asnjë zgjidhje”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë tha se ngjarjet e fundit e bëjnë më të rëndësishme qëndrueshmërinë e institucioneve përballë presioneve të ndryshme, duke theksuar se rreziku më i madh nuk vjen vetëm nga veprimet në rrugë.

“Ndërkohë që e gjithë kjo e bën qëndrueshmërinë tuaj jo vetëm më të rëndësishme, por edhe më dinjitoze përballë gjithë këtij presioni. E përsëris, nuk është presioni i rrugës ai më i keqi, por më i keq është presioni i të ashtuquajturve intelektualë, i atyre të ashtuquajtur analistë e opinionistë, që çdo mbrëmje bëjnë bilancin e dhunës, se sa policë sakatohen, sa institucione digjen dhe sa njësi tregtare shkatërrohen, duke fërkuar duart sepse u erdhi fundi Edi Ramës dhe qeverisjes së tij“, deklaroi ai.

Rama hodhi poshtë pretendimet se protesta lidhej me problematikat e arsimit, duke e krahasuar atë me lëvizjet studentore të mëparshme, të cilat sipas tij zhvilloheshin paqësisht dhe me kërkesa konkrete.

“Kjo nuk është revoltë për arsimin. Ishin 20 mijë nxënës, i bllokuan universitetet, e bllokuan mësimin, por ishin paqësorë dhe kishin kërkesa për universitetin. Çfarë studentësh janë këta? Si mund të jenë studentë këta që adhurojnë gurin, që duartrokasin djegien e policit, djegien e bizneseve, që duartrokasin djegien e bankave? Si mund të jenë studentë? Këta nuk janë studentë. Këta nuk ka si të jenë studentë, edhe pse mund të jenë regjistruar në shkollë. Vullneti i popullit do të kthehet përmbys?”, tha Rama.

Sipas tij, dhuna nuk mund të shërbejë si mjet për të sfiduar rezultatin e zgjedhjeve dhe as për të zëvendësuar vullnetin e shumicës së qytetarëve.

Rama nënvizoi se përballë këtyre zhvillimeve, institucionet do të vijojnë të ushtrojnë detyrat e tyre në zbatim të ligjit dhe në mbrojtje të rendit publik.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme