Aplikimet në universitetin e Gjirokastrës, 300 më shumë se një vit më parë
2100 aplikime janë shënuar në Universitetin e Gjirokastrës gjatë raundit të parë të aplikimeve të të rinjve për shkollat e larta. Burime nga rektorati theksojnë se, krahasuar me një vit më parë, kjo shifër është rritur me 300, ku vihet re një shtim i lehtë i interesit edhe për degët e mësuesisë.
Rektori Jaho Cana sugjeron me këtë rast edhe heqjen e mesatares për këto programe studimi.
“Mesatarja tek mësuesia duhet hequr sepse unë mendoj që pikërisht edhe tek sasia qëndron brenda cilësia. Nuk duhet të trembemi nga fakti se mund të vijnë studentë ose maturantë të dobët te degët e mësuesisë, sepse vetë procedurat e punësimit në mësuesi bëjnë vetë diferencën se kush e meriton për të qenë mësues në sistemin parauniversitar”, tha ai.
Ndërkohë që aplikimet më të larta shënohen në degët e infermierisë, ekonomikut dhe programet dyvjeçare profesionale.
“Programet që ofron Fakulteti Ekonomik kanë një rritje të ndjeshme të aplikantëve tek Fakulteti i Shkencave të Natyrës. Edhe këtu rritja është pothuajse e ndjeshme tek degët e infermierisë, tek teknologjia e informacionit e të tjera.
Natyrisht që programet dyvjeçare janë mjaft të kërkuara sepse janë pa mesatare. Të pesta programet kanë mbi 150 aplikime studentësh. Pra, një numër i konsiderueshëm të gjithë ata që nuk gjejnë dot mundësinë për të vazhduar bachelor. Tha Cana.
Raundi i parë i regjistrimeve zhvillohet nga 26 korriku deri në 8 shtator dhe ndahet në shtatë faza 48-orëshe.
Gazetare: Y. Ponde
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




