“I presim çlirimtarët në shtëpi”, qytetarët marshojnë në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK

Mijëra qytetarë nga Kosova dhe trevat shqiptare u mblodhën të shtunën në sheshin “Skënderbej” të Prishtinës, në mbështetje të ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, katër ditë para se Gjykata Speciale e Hagës të shpallë vendimin e saj për ta. “I presim çlirimtarët në shtëpi”, ishin mes thirrjeve të qytetarëve të ndryshëm që shprehën besimin se drejtësia do të triumfojë dhe se katër ish-krerët e UÇK-së do të kthehen në Kosovë.
Në organizimin që u quajt “Marshi për Lirinë”, kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, theksoi se nuk ishte Ushtria Çlirimtare ajo që krijoi shtypjen, por ajo që u ngrit ndaj saj.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk e krijoi shtypjen, ajo u ngrit kundër saj. Drejtësia nuk guxon kurrë të shndërrohet në rishikim të historisë, e as të përdoret si armë kundër çlirimtarëve tanë”, deklaroi Gucati.
Në tubimin e mbajtur në sheshin “Skënderbej” të Prishtinës, të pranishëm ishin kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, si dhe politikanë dhe deputetë të tjerë, përfshi edhe nga radhët e Vetëvendosjes.
Vendimi për Thaçin, Krasniqin, Veselin dhe Selimin jepet më datën 16 shtator nga Gjykata e Hagës, ku katër ish-zyrtarët e lartë ndodhen në paraburgim që nga viti 2020.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




