Meloni i mbyll derën politikanit të ekstremit të djathtë: Do t’u kërkoj italianëve të qeverisim pa shantazhe

Botë | 45 minuta më parë

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka përjashtuar mundësinë e një aleance me Roberto Vannaccin, liderit të “Futuro Nazionale” duke theksuar se nuk ka ndërmend të pranojë presione apo shantazhe politike, as në të ardhmen.

“Dua t’u kërkoj italianëve të vazhdojmë të qeverisim pa shantazhe. Nuk kam qenë e shantazhueshme më parë, nuk kam lejuar të më shantazhojnë gjatë këtyre viteve në qeveri dhe nuk kam ndërmend ta lejoj këtë as nesër”, deklaroi Meloni.

Ajo iu përgjigj kështu gazetarit Bruno Vespa, i cili e pyeti përse nuk dëshiron të krijojë një aleancë me Roberto Vannaccin. Deklaratat janë pjesë e një interviste të përfshirë në librin e ri të Vespa-s, “Storia della Seconda Repubblica. Da Berlusconi a Meloni, da Prodi a Schlein”, që pritet të dalë të hënën nga shtëpia botuese Mondadori-Rai Libri.

Meloni shtoi se synon të rikthehet në qeveri në koalicion me forcat e së djathtës së qendrës, ashtu siç njihet aktualisht ky bllok politik, por të zgjeruar me lëvizje të reja qytetare.
“Unë dua të rikthehem në qeveri me qendrën e djathtë që njohim, të pasuruar me lëvizje të reja qytetare që po krijohen dhe që mund të forcojnë ofertën tonë politike”, u shpreh kryeministrja.

Roberto Vannacci, eurodeputet dhe deputet italian është një politikan i ekstremit të djathtë, i cili në fillim të vitit 2026, pas përplasjeve të brendshme, Vannacci u largua nga Lega dhe themeloi lëvizjen e tij politike të quajtur Futuro Nazionale (E Ardhmja Kombëtare), duke u shndërruar në një rival politik edhe për vetë koalicionin qeverisës të kryeministres Giorgia Meloni.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme