Arti pamor në Sarandë, Galeria e Arteve një portë ku nga viti në vit trokasin më shumë vizitorë

Kulturë | 59 minuta më parë

Ky sezon ka qenë mjaft i mbarë për Galerinë e Arteve në Sarandë, me një interes dhe vizitueshmëri më të lartë krahasuar me vitin e kaluar. Sipas cicerones Jolanda Kabo, fluksi i vizitorëve ka qenë i qëndrueshëm gjatë gjithë periudhës së verës.

Risi e këtij viti, sipas Kabo, ka qenë vizitueshmëria e lartë nga moshat e reja. Ajo shprehet se të rinjtë e vizitojnë galerinë për t’u njohur më shumë me kulturën dhe artin pamor lokal, duke treguar një interes në rritje për këtë fushë.

“Ka pasur grupmosha të ndryshme, por sivjet ka rënë në sy një rritje e numrit të të rinjve që kanë vizituar galerinë tonë”, u shpreh ciceronia

Gjithashtu, Kabo thekson se edhe muaji shtator ka shënuar një numër të lartë vizitorësh, duke e mbajtur Galerinë e Arteve në Sarandë një nga destinacionet kulturore më të frekuentuara në qytet.

“Me thënë të drejtën, nëse gjykojmë nga prurja e vizitorëve deri tani, unë mund të them që nuk e kemi ndjerë uljen. Është e njëjta vizitueshmëri si në gusht, edhe në shtator. Duke gjykuar nga kjo, mendoj dhe besoj se do akoma kohë që ta ndjejmë ikjen e sezonit”, tha ajo.

Rritja e vizitueshmërisë dhe interesi i shtuar, veçanërisht nga të rinjtë, tregojnë se Galeria e Arteve në Sarandë po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një hapësirë e rëndësishme për promovimin e kulturës dhe artit pamor në qytet.

Gazetare B.Gjyli

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme