Bienalja e Karikaturës, Korça bëhet qendër e artit satirik me bienalen “Niko Nikolla”
Në muajin tetor, Korça do të mirëpresë edicionin e katërt të Bienales Ndërkombëtare të Karikaturës “Niko Nikolla”. Aktiviteti sjell në qytet artistë dhe krijime nga vende të ndryshme të botës, duke e vendosur karikaturën në qendër të jetës kulturore. Përmes humorit, ironisë dhe satirës, artistët përcjellin mesazhe mbi shoqërinë, jetën e përditshme dhe realitetin bashkëkohor.
“Ne erdhëm sërish për të bërë këtë sfidë me dy tema. Tema e parë është „Apokalipsi“, dhe tema e dytë është portreti i një prej figurave emblematike të artit shqiptar, sikundër është zoti Bujar Kapexhiu. Ishin rreth 740 karikatura nga të paktën 53 vende të botës, që iu përgjigjën një teme relativisht shumë filozofike. Ajo që unë besoj se do ta realizojmë është kthimi i syve tanë, i syve të gjithë këtyre karikaturistëve që vijnë në Korçë, dhe i atij bagazhi që kemi në Shqipëri, nga brezi i ri”, u shpreh Flora Nikolla, Drejtore Ekzekutive e Bienales “Niko Nikolla”.
Bienalja synon të vijojë traditën e edicioneve të mëparshme, duke krijuar një hapësirë takimi dhe komunikimi mes artistëve shqiptarë dhe të huaj. Mes pjesëmarrësve është edhe karikaturisti dhe arkitekti Arben Meksi.
“Mezi e presim që ky art të mos vdesë, se kemi mbetur pak. Unë kam marrë pjesë në të dyja temat: Bujar Kapexhiu, dekani i karikaturës politike, si portret, edhe një temë e lirë”, tha Arben Meksi, Karikaturist, Arkitekt.
Aktiviteti mban emrin e Niko Nikollës, një prej figurave të rëndësishme të karikaturës dhe humorit shqiptar. Ai ishte për shumë vite kryeredaktor i revistës satirike “Hosteni”. Nga 31 tetori deri më 2 nëntor, Korça do të kthehet në një pikë takimi për artistët dhe artdashësit e karikaturës, duke i dhënë qytetit një tjetër aktivitet me karakter ndërkombëtar.
Gazetare: G. Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




