Mishi i pulës së importit, rritje deri në 50%, Zusi: Nevojiten masa për rritjen e prodhimit vendas
Mishi i pulës së importit pritet të rritet me 20 deri në 50% brenda rreth një muaji. Në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, kreu i Shoqatës së Prodhuesve dhe Eksportuesve, Alban Zusi, tha se rritja do të rëndojë në xhepat e qytetarëve, pasi importi zë rreth 50% të konsumit.
“Mishi i importit mund të rritet, fatkeqësisht, ndoshta edhe me 50%. Unë mendoja, në fakt, se rritja mund të qëndronte diku tek niveli 20–25% dhe dje, në një deklarim timin, e kam thënë këtë. Por, pasi u konsultova shumë gjatë, edhe për hir të ftesës suaj në emision, me importuesit, ka gjasa që të shkojë edhe deri në 50%: fileto e pulës, pula e të tjera produkte të importit”, u shpreh Kreu i Shoqatës së Prodhuesve dhe Eksportuesve.
Sipas tij, nevojiten masa për rritjen e prodhimit vendas dhe subvencionimin e kompanive. Zusi tha se do t’i drejtohet qeverisë me një kërkesë për rritjen e kapaciteteve prodhuese.
“Mund të kalojmë edhe në një formë subvencionimi. Por, siç ma thonin sot, sikur 200 lekë për kilogram do të na subvencionojë shteti, ne menjëherë marrim masa. Do të bëjmë një propozim për qeverinë, drejtpërdrejt për kryeministrin, dhe do t’ia çojmë për të bërë një politikë nxitëse të menjëhershme për prodhuesit vendas”, tha ai.
Zusi theksoi se Brazili është eksportuesi më i madh i mishit të pulës në botë. Sipas tij, mishi brazilian mund të hyjë edhe në tregun e Bashkimit Evropian.
Gazetare: B.Cuku
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





