Shqipëria U19 fiton me përmbysje ndaj Lituanisë U19, shkëlqen me dy gola Elson Himallari

Kombëtarja | 2 orë më parë

Shqipëria U19 ka marrë fitoren e dytë radhazi ndaj Lituanisë U19, duke triumfuar me rezultatin 2-1. Skuadra kuqezi u paraqit mjaft mirë në sfidën e luajtur në stadiumin e Vorës, duke marrë maksimumin edhe në këtë përballje.

Trajneri Fatjon Tafaj e nisi ndeshjen me këtë formacion: Raffaele Huli, Spasian Nasto, Dion Vata, Afrim Gashi, Stiven Nikolli, Armend Muslika, Amir Boriçi, Oliver Blini, Elson Himallari, Francesco Matjani dhe Alen Vukaj. Ndërkohë, në pjesën e dytë u aktivizuan edhe Leon Sylejmani, Grei Kuqi, Klevi Ajazi, Sokol Uldedaj dhe Petro Marku.

Pjesa e parë u mbyll me epërsinë e miqve, të cilët shënuan në njërën prej të paktave mundësi që patën. Megjithatë, në pjesën e dytë, djemtë kuqezi u treguan më të saktë në finalizim, duke shënuar dy herë me Elson Himallarin, i cili realizoi të dy golat brenda pak minutash. Një paraqitje shumë e mirë e futbollistit të Partizanit, i cili ishte përcaktues në fatin e kësaj sfide.

Shqipëria U19 e mbyll këtë grumbullim me dy fitore, pasi mposhti Lituaninë U19 në të dyja ndeshjet e luajtura në Vorë. Trajneri Tafaj mori përgjigje pozitive nga lojtarët e grumbulluar, të cilët pritet të përbëjnë boshtin e skuadrës edhe në grumbullimet e ardhshme, në prag të ndeshjeve zyrtare.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme