Festivali letrar “Gegnisht”, veprimtaria mbledh në Shkodër poetë, prozatorë e studiues
Kjo fundjavë në Shkodër pasurohet me edicionin e pestë të Festivalit Letrar “Gegnisht”, i cili bën bashkë poetë, prozatorë, përkthyes dhe studiues nga të gjitha trojet shqipfolëse në rajon.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve mbrëmjen e së shtunës do të zhvillohet në oborrin e një prej banesave karakteristike të qytetit, në shtëpinë e Kol Mjedës, një prej personaliteteve shkodrane me kontribut të shumëanshëm kulturor.
Presidentja e festivalit, Denata Rroji, shprehet se prurjet letrare në gegërisht edhe në këtë edicion janë të shumta dhe të një cilësie të lartë.
“Gjinitë janë të njëjta. Do të kemi në prozë, poezi, përkthim dhe ese, ku kanë titujt e poezisë: Çmimi Mjeda, Çmimi Çabej, Çmimi Arshi Pipa dhe Çmimi Gjon Shllaku, katër kolosët e secilës prej gjinive. Është edhe çmimi special që Bordi i Gegnishtes i jep festivalit, që është Çmimi Kol Mjeda”, u shpreh Denata Rroji, Presidente e Festivalit Letrar “Gegnisht”.
Sipas organizatorëve, qëllimi kryesor i Festivalit Letrar “Gegnisht” është ruajtja dhe promovimi i vlerave të gjuhës shqipe.
“Një aktivitet i këtillë është kontribut, sepse ndihmon që ta mbajmë gjallë gegnishten. Të gjitha kryeveprat e shqipes deri te Kadareja janë jashtë standardit dhe, nëse ne humbim marrëdhënien me shkrimtarët paraardhës, po themi, Arshi Pipën, humbim me Fishtën, me Mitrush Kutelin, që është jashtë standardit edhe ai, ne humbim, bjerrim një pjesë të madhe të vlerave”, tha organizatori, Ndriçim Mlika.
Përgjatë edicioneve të tij, “Gegnisht” është kthyer në një platformë të rëndësishme për fuqizimin e letërsisë në dialektin e pasur gegnisht, si dhe për nxitjen e krijimtarisë nga autorët e rinj
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





