Garanci administrative për mbrojtjen e fëmijëve, Këshilli i Ministrave përcakton rregullat për Komisionet e Ankesave në bashki

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin e ri që normon organizimin, funksionimin dhe procedurën e shqyrtimit të ankesave në fushën e kujdesit alternativ në familje pranë çdo njësie të vetëqeverisjes vendore. Ky vendim, i mbështetur në Kushtetutë dhe legjislacionin për kujdesin alternativ, vjen me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për të garantuar një mehanizëm të pavarur administrativ në mbrojtje të interesit më të lartë të fëmijës.
Sipas këtij vendimi, çdo bashki ngre një Komision të Shqyrtimit të Ankesave me 5 anëtarë, ku përfshihen përfaqësues të shërbimeve shoqërore, juristë, psikologë ose specialistë të mbrojtjes së fëmijëve (NJMF/NJVNR), si dhe ekspertë të fushës sociale.
E drejta e ankimit dhe garantimi i dëgjimit të fëmijës
E drejta për të paraqitur ankim administrativ gëzohet nga vetë fëmija, përfaqësuesi ligjor, punonjësit socialë, mësuesit, si dhe anëtarët e familjes biologjike apo kujdestare brenda 30 ditëve kalendarike nga marrja dijeni e vendimit. Ankesat mund të lidhen me përzgjedhjen e familjes, ndërprerjen e shërbimit, apo masat e ndërmarra ndaj familjeve kujdestare.
Vendimi shton se gjatë gjithë procedurës do të respektohet procesi i rregullt ligjor dhe i drejtpërdrejtë.
“Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave ushtron veprimtarinë në përputhje me parimin e interesit më të lartë të fëmijës. Procedura e ndjekur nga Komisioni respekton procesin e rregullt ligjor. Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave ka detyrimin për të dëgjuar fëmijën sipas moshës dhe pjekurisë.”, thuhet në vendim.
Çdo shërbim procedural lidhur me parashtrimin dhe shqyrtimin e ankesave do të ofrohet falas.
Afatet procedurale, seancat dëgjimore dhe bashkëpunimi ndërinstitucional
Verifikimi paraprak i ankesës kryhet brenda 5 ditëve nga regjistrimi i saj në Regjistrin Elektronik për Kujdesin Alternativ. Pasi ankesa pranohet, Komisioni ka një afat prej 15 ditësh kalendarike për të mbyllur hetimin dhe marrë vendimin përfundimtar.
Në kuadër të mbledhjes së provave, Komisioni zhvillon seanca dëgjimore dhe ka autoritetin t’u kërkojë të dhëna strukturave arsimore, shëndetësore, policore dhe organit të drejtësisë. Lidhur me detyrimet e institucioneve, dokumenti specifikon se “institucionet dhe strukturat e identifikuara gjatë procedurës janë të detyruara të vënë në dispozicion të Komisionit informacionin e nevojshëm. Mosdhënia e informacionit pa shkak të arsyeshëm përbën shkak për paraqitjen e një kërkese nga Komisioni për fillimin e procedurave të shkeljeve ligjore ndaj subjekteve përkatëse.”
Vendimmarrja, ekzekutimi dhe shkalla e dytë e ankimit
Vendimet e Komisionit merren me votim të hapur dhe përbëjnë akt administrativ të detyrueshëm për t’u zbatuar pas njoftimit zyrtar të palëve brenda 3 ditëve nga miratimi. Komisioni ka të drejtë të lërë në fuqi, të anulojë, të shfuqizojë ose të ndryshojë aktin e ankimuar.
Në rast të mospranimit të vendimit administrativ të lëshuar nga bashkia, palët e interesuara gëzojnë të drejtën t’i drejtohen gjyqësorit.
“Fëmija, prindërit e fëmijës, të afërmit e tij dhe palët që kanë një interes të ligjshëm kanë të drejtën e ankimit kundër vendimeve të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave në gjykatën administrative, në përputhje me legjislacionin për gjykimin administrativ në fuqi.”, theksohet në vendim.
Struktura e shërbimeve sociale në nivel vendor do të kryejë funksionin e sekretariatit teknik, ndërsa Shërbimi Social Shtetëror, Agjencia e Mbrojtjes së Fëmijës dhe njësitë vendore ngarkohen drejtpërdrejt për zbatimin e plotë të këtij vendimi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





