Ibrahimaj: Turizmi shqiptar hyn në një fazë të re, ja sfidat deri në 2030

Ekonomi | 31 minuta më parë

Shqipëria duhet të hyjë në një fazë të re të zhvillimit të turizmit, ku objektivi nuk është vetëm shtimi i vizitorëve, por edhe rritja e të ardhurave për çdo turist dhe shtrirja e sezonit në muajt jashtë pikut veror. Kështu deklaroi ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë forumit “Future Hospitality Forum 2026”, të zhvilluar në Tiranë. Në aktivitet, ku morën pjesë kryeministri Edi Rama, investitorë, zhvillues dhe përfaqësues të markave ndërkombëtare të mikpritjes, Ibrahimaj tha se Shqipëria ka konsoliduar pozicionin e saj në hartën turistike ndërkombëtare dhe tashmë sfida është rritja e cilësisë dhe e vlerës ekonomike të sektorit. Ibrahimaj solli në vëmendje rritjen e të ardhurave nga turizmi gjatë viteve të fundit. Sipas saj, të ardhurat nga turistët ndërkombëtarë kanë kaluar nga 2.8 miliardë euro në 5.7 miliardë euro, ndërsa numri i turistëve të huaj vitin e kaluar arriti në 12.5 milionë.

“Turizmi shqiptar vijon të jetë një histori suksesi, ndërsa kërkesa ndërkombëtare tashmë është e konsoliduar dhe krijon mundësi të reja për investime. Vetëm tre vjet më parë, të ardhurat nga turistët ndërkombëtarë ishin 2.8 miliardë euro. Në vetëm dy vjet, këto shifra u dyfishuan. Vitin e kaluar, arritëm në 5.7 miliardë euro dhe mirëpritëm 12.5 milionë turistë”, u shpreh ajo.

Ministrja theksoi se të dhënat për periudhën 2023-2025 tregojnë një rritje prej 23% të hyrjeve të shtetasve të huaj dhe mbi 40% të të ardhurave nga turizmi. Për Ibrahimajn, kjo e zhvendos fokusin e politikave të sektorit drejt rritjes së shpenzimeve dhe eksperiencës së turistëve gjatë qëndrimit në Shqipëri. Një pjesë e rëndësishme e strategjisë së re, sipas Ibrahimajt, është shmangia e përqendrimit të turizmit vetëm në korrik dhe gusht. Ajo kërkoi krijimin e produkteve dhe eksperiencave që ta bëjnë Shqipërinë tërheqëse gjatë gjithë vitit.

“Mundësia jonë nuk është më thjesht të tërheqim më shumë investitorë apo më shumë vizitorë. Është të krijojmë më shumë vlerë nga çdo vizitë. Një arsye për të ardhur në tetor, në dhjetor, në mars, jo vetëm në korrik dhe gusht. Një arsye për të zbuluar plazhet tona, për të përjetuar malet, qytetet, ushqimin, verën, kulturën dhe trashëgiminë tonë”, tha ministrja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme