Tregu i sigurimeve në rritje, bilanci i 8-mujorit 2026 shënon 18.34 miliardë lekë prime dhe rritje të dëmeve të paguara

Tregu i sigurimeve në Shqipëri ka vijuar prirjen pozitive gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026. Të dhënat zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se nga janari në gusht ka patur një rritje si në volumet financiare, ashtu edhe në numrin e kontratave të nënshkruara apo të dëmeve të zhdëmtuara.
Gjatë kësaj periudhe, xhiroja e përgjithshme e tregut ose e thënë ndryshe primet e shkruara bruto, arriti në rreth 18.34 miliardë lekë. Kjo shifër shënon një rritje prej 2.44% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Paralelisht me shitjen e kontratave, kompanitë e sigurimeve kanë paguar edhe më shumë dëme. Vlera e përgjithshme e dëmeve të paguara bruto arriti në rreth 5.96 miliardë lekë, me një rritje të ndjeshme prej 9.04%. Gjithashtu, si numri i kontratave të reja ashtu edhe numri i dëmeve të paguara shënuan rritje me rreth 6% secili, çka tregon se qytetarët dhe bizneset po e përdorin më shumë këtë shërbim.
Dominimi i sigurimeve Jo-Jetë dhe pesha e makinave
Struktura e tregut shqiptar vazhdon të mbetet pothuajse e njëjtë me vitet e kaluara, ku peshën kryesore e zënë sigurimet e Jo-Jetës me më shumë se 91% të totalit. Primet për këtë segment arritën në 16.75 miliardë lekë, ndërsa dëmet e paguara nga kompanitë për këtë kategori kapën vlerën e 5.51 miliardë lekëve (një rritje prej 10.6%).
Brenda këtij segmenti, sigurimet e detyrueshme të makinave mbeten pjesa më e madhe e tregut, duke zënë gati dy të tretat e tij. Blerjet e siguracioneve motorike arritën në 11.52 miliardë lekë (4% më shumë se një vit më parë), ndërsa pagesat për aksidentet e makinave u rritën me më shumë se 9%, duke kapur vlerën e 3.88 miliardë lekëve.
Nga ana tjetër, sigurimet vullnetare Jo-Jetë mbetën pothuajse në të njëjtat nivele. Ndonëse pati rritje në sigurimet e aksidenteve, shëndetit dhe përgjegjësive civile, kjo u balancua nga një rënie e blerjeve të sigurimeve ndaj zjarrit, forcave të natyrës dhe dëmtimeve të tjera në pronë. Megjithatë, pikërisht nga zjarret dhe fatkeqësitë natyrore kompanitë paguan 14% më shumë dëme financiare gjatë këtij 8-mujori.
Ecuria e sigurimit të Jetës dhe faktorët ndikues
Ndonëse zë vetëm rreth 8.7% të të gjithë tregut, segmenti i sigurimit të Jetës shfaqi një ecuri mjaft pozitive. Xhiroja e këtij sektori kapërceu 1.6 miliardë lekët, me një rritje prej 6.19%, ndërsa numri i dëmeve të paguara për këtë kategori u rrit me gati 23%.
Ecuria e tregut gjatë kësaj periudhe është ndikuar nga disa faktorë kryesorë si historiku i dëmeve në sigurimet e makinave, zbatimi i sistemit të vlerësimit të riskut sipas rregullores së re ka ndikuar drejtpërdrejt në ecurinë e primeve motorike; lidhja me kreditë bankare, në segmentin e Jetës, rritja e blerjeve dhe e dëmeve të paguara ka ardhur kryesisht si pasojë e ecurisë së produkteve të lidhura me marrjen e kredive (siç janë produktet e jetës së debitorit).
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





