Rritet tarifa e kopshteve publike në Lezhë, familjet do të paguajnë 220 lekë në ditë për ushqimin e fëmijëve

Sociale | 47 minuta më parë

Familjet lezhjane që çojnë fëmijët në kopshtet publike do të paguajnë më shtrenjtë. Me propozim të Bashkisë Lezhë, tarifa ditore është rritur nga 170 në 220 lekë në ditë. Vendimi është miratuar me shumicë votash nga Këshilli Bashkiak, ndërsa përfaqësuesit e opozitës e kundërshtuan rritjen e tarifës.

“Bashkia Lezhë tashmë prej kohësh deklaron stabilitet financiar. Bashkia planifikon një buxhet prej afër 3 miliardë lekësh për vitin e ardhshëm buxhetor. Nuk ka më borxhe. Në këto kushte, unë e shoh absolutisht të panevojshme, sepse bashkia merr një nismë për të rritur pikërisht tarifën për akomodimin e fëmijëve në kopshte”, u shpreh Këshilltarja e opozitës, Alfrida Marku.

Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, tha se rritja e tarifës lidhet me indeksimin e kostove dhe rritjen e çmimeve. Sipas tij, pagesa përdoret vetëm për ushqimin që konsumojnë fëmijët gjatë qëndrimit në kopshtet publike.

“As edhe një gjë tjetër, nuk është llogaritur vetëm ushqimi. Ushqimi nuk është më me çmimet që ka qenë në vitin 2018, kur është bërë llogaritja e fundit, por jemi në vitin 2026. Jemi minimalisht tetë vjet më pas. Kostot kanë ndryshuar dhe kjo është thjesht mbulim kostoje. Është kokë më kokë me koston. Pra, unë çoj fëmijën në kopsht dhe paguaj aq sa kushton ushqimi. Pra, as nuk paguan edukatoren, as nuk paguan detergjentin, as nuk paguan tavolinën, as nuk paguan mjetet didaktike, asgjë”, tha Kryetar i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu.

Ndryshimi i tarifës, prek rreth 540 familje, fëmijët e të cilëve frekuentojnë kopshtet publike në Lezhë, ndërsa nga pagesa janë përjashtuar familjet në nevojë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme