Takimi Kurti-Hamza përfundon pa marrëveshje

Rajon | 46 minuta më parë

Ka përfunduar pa arritur ndonjë marrëveshje takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, i cili ishte i shoqëruar nga deputeti Rrahman Rama në ndërtesën e Qeverisë.

Diskutimet mes dy liderëve u përqendruan kryesisht te dy pika kyçe të situatës aktuale politike: ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara lidhur me procesin në Hagë dhe procesi i zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

Qëndrimi i PDK-së, ligji fillimisht, pastaj presidenti

Pas përfundimit të takimit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, konfirmoi para gazetarëve se palët nuk kanë arritur ende një dakordësi, por la të hapur derën për dialog të mëtejshëm.

“Nuk ka marrëveshje. Deri më tani nuk është që kemi marrëveshje për temat që kemi biseduar. Është e mundshme që do të kemi takime edhe ditëve në vijim,” u shpreh Hamza.

Ai theksoi se për partinë që drejton, miratimi i ligjit që ka të bëjë me procesin e Gjykatës Speciale në Hagë përbën një domosdoshmëri parësore, para se të mund të diskutohet konstruktivisht për çështjen e kreut të shtetit.

“Na nevojitet që ligji të procedohet dhe të aprovohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Për Partinë Demokratike të Kosovës, e dini, është nevojë, është domosdoshmëri aprovimi i ligjit. Pastaj, ne jemi të hapur që të diskutojmë për presidentin, me qëllim që vendit t’i japim president,” shtoi ai.

Presioni i kohës dhe fundjava vendimtare

Nga ana e tij, kryeministri Albin Kurti e kishte paralajmëruar rëndësinë e këtyre kontakteve gjatë ditës, duke theksuar se koha për të gjetur një konsensus është e kufizuar.

“Kemi filluar komunikimet dhe, natyrisht, kjo fundjavë është vendimtare për të pasur një marrëveshje, që javën e ardhshme të kemi presidentin,” pati deklaruar Kurti.

Me afrimin e afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit dhe me kërkesat e qarta të opozitës lidhur me zhvillimet rreth Dhomave të Specializuara, ditët në vijim pritet të jenë përcaktuese për fatin e këtij ngërçi politik.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme