Direktiva e BE-së kundër evazionit, Qeveria pritet të ndryshojë ligjin e procedurave tatimore, rregulla të reja për shoqëritë shumëkombëshe në Shqipëri

Ministria e Financave ka hartuar projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”. Kjo nismë vjen në kuadër të zbatimit të Planit Kombëtar për Integrimin Evropian dhe përmbushjes së detyrimeve për Kapitullin 16, “Tatimet”.
Objektivi kryesor është transpozimi i plotë i Direktivës së Këshillit (BE) 2016/881, e cila rregullon shkëmbimin automatik të detyrueshëm të informacionit tatimor ndërmjet autoriteteve shtetërore. Përmes këtij ndryshimi, Shqipëria kalon nga përputhshmëria e pjesshme në përputhshmëri të plotë me standardet evropiane dhe me standardet e Masës 13 të projektit kundër erozionit të bazës tatimore dhe zhvendosjes së fitimit (BEPS) të OECD-së.
Arsyetimi dhe risitë kryesore procedurale
Sipas relacionit, zhvillimi i strukturave komplekse ndërkombëtare nga shoqëritë shumëkombëshe ka rritur riskun e evazionit fiskal, duke theksuar se “legjislacioni aktual ka pasur kufizime në marrjen e të dhënave kur entiteti mëmë përfundimtar i një grupi shoqërie shumëkombëshe ndodhet në një juridiksion që nuk bashkëpunon për shkëmbimin e informacionit. Mungesa në legjislacionin aktual e rregullave të detajuara për entitetin mëmë zëvendësues dhe trajtimin e rasteve të dështimit sistemik kufizon objektivisht aftësinë e administratës tatimore për të marrë të dhëna të plota mbi veprimtarinë dhe detyrimet e këtyre grupeve.”
Projektligji ri i adresohet kësaj problematike përmes disa ndërhyrjeve kryesore.
Vendosja e pragut financiar
Pragu i të ardhurave për grupet raportuese lidhet me ekuivalencën e 750 milionë eurove (sipas kursit të janarit 2015).
Raportimi dytësor
Përcaktohet detyrimi që entitetet përbërëse rezidente në Shqipëri të dorëzojnë raportin për çdo vend kur entiteti mëmë jashtë vendit nuk raporton ose nuk shkëmben informacion.
Afati i shkëmbimit automatic
Sanksionohet se Administrata Tatimore kryen shkëmbimin automatik të të dhënave me juridiksionet e tjera brenda 15 muajve nga dita e fundit e vitit fiskal të grupimit.
Përmbledhja e neneve të projektligjit
Nisma ligjore përbëhet nga 6 nene kryesore:
Neni 1: Ndryshon nenin 63/1 të ligjit bazë, duke saktësuar pragun 750 milionë euro, zgjeruar përkufizimin e “entitetit raportues” dhe shtuar nocionet për “entitetin mëmë zëvendësues” dhe “dështimin sistemik”.
Neni 2: Riformulon nenin 63/2, duke rregulluar detyrimet e entiteteve përbënëse vendase për dorëzimin e raportit për çdo vend dhe kushtet kur përjashtohen nga ky detyrim.
Neni 3: Përcakton detyrimin e njoftimit zyrtar që entitetet vendase duhet t’i bëjnë administratës tatimore për statusin e tyre.
Neni 4: Shton nenin e ri 63/7, i cili normon shkëmbimin automatik të informacionit brenda afatit 15-mujor.
Neni 5: Rregullon korrigjimin e referencave teknike brenda ligjit bazë.
Neni 6: Përcakton se ligji hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe fillon efektet financiare e juridike në datën e anëtarësimit zyrtar të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Institucionet zbatuese dhe efekti buxhetor
Zbatimi i këtij vendimi do të kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Sipas raportit të ministrit të Financave, Petrit Malaj, projektligji nuk parashikohet të sjellë efekte apo shpenzime shtesë në Buxhetin e Shtetit. Akti do t’i nënshtrohet konsultimit publik përpara miratimit përfundimtar në Këshillin e Ministrave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





