Trump emëron Katie Zacharian si zëdhënësen e re të Shtëpisë së Bardhë

Botë | 2 minuta më parë

Presidenti amerikan Donald Trump ka zgjedhur komentatoren konservatore Katie Zacharia si sekretaren e ardhshme të shtypit të Shtëpisë së Bardhë.

Zacharia, e cila aktualisht punon pranë kompanisë Trump Media & Technology Group, do të bëhet zëdhënësja e gjashtë kryesore e Trumpit në dy mandatet e tij presidenciale.

Më herët, ajo ka shërbyer për një periudhë të shkurtër si zëdhënëse në Departamentin e Sigurisë Kombëtare (DHS).

Në një postim të publikuar të premten në rrjetin e tij social Truth Social, Trump e cilësoi Zacharian si një person “besnik” dhe “mbështetëse të përkushtuar të lëvizjes MAGA” (Make America Great Again), duke theksuar se ajo ka një histori të pastër mbështetjeje ndaj tij.

Ish-sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e cila u largua nga detyra në muajin gusht, raportohet se ka nisur punë në televizionin Fox News.

“Ajo ka qenë e përfshirë më parë në fushatat e mia elektorale, duke ndihmuar në shtetet kyçe të garës, ku ne fituam shtatë nga shtatë”, shkroi Trump.

“Jam i bindur se Katie do të arrijë rezultate të shkëlqyera për vendin tonë si sekretarja e ardhshme e shtypit në Shtëpinë e Bardhë. Ajo gëzon respektin e medias, të popullit amerikan dhe të administratës sime dhe do të bëjë një punë të jashtëzakonshme”, shtoi ai.

BBC shkruan se 42-vjeçarja është një figurë e njohur në mediat konservatore Newsmax dhe Fox News.

Ajo ka qenë aktive në politikën republikane gjatë pjesës më të madhe të jetës së saj, duke punuar fillimisht si praktikante në Komitetin Kombëtar Republikan dhe në Zyrën e Çështjeve Politike të Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës së George W. Bush në vitin 2006.

Që nga muaji qershor, Zacharia mban postin e këshilltares së lartë për komunikim në kompaninë mediatike të Trumpit dhe në platformën Truth Social, sipas profilit të saj në LinkedIn. Ajo gjithashtu ka punuar në Departamentin e Sigurisë Kombëtare nga shkurti deri në mars të këtij viti.

E diplomuar për drejtësi në Universitetin Pepperdine në Kaliforni, Zacharia ka shërbyer edhe si këshilltare ligjore për organizatën konservatore jofitimprurëse Fix California, e themeluar nga aleati i Trumpit dhe i dërguari i tij aktual për misione speciale, Ric Grenell.

Në vitin 2011, ajo kaloi gati dy vjet në Pekin të Kinës, ku punoi si juriste praktikante në një firmë ligjore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme