Deklarata tronditëse e presidentit të Perugias: Nëse je gjyqtar, ke probleme

Futboll Bota | 2 orë më parë

“Sipas mendimit tim, duhet të kesh probleme në jetë nëse zgjedh të bëhesh gjyqtar, por tani e kanë tepruar vërtet.” Këto deklarata tronditëse të Alessandro Gauccit, presidentit aktual të Perugias, pas humbjes në shtëpi ndaj Vados në kampionatin e Serisë C, kanë shkaktuar një reagim të ashpër nga AIA (Shoqata Italiane e Gjyqtarëve).

“Fjalët e thëna janë të papranueshme dhe tejkalojnë dukshëm kufijtë e kritikës së ligjshme sportive. Fyerja e zyrtarëve të ndeshjes, akuzimi i tyre për veprim me qëllime të këqija dhe denigrimi i atyre që zgjedhin të jenë gjyqtarë, cenojnë dinjitetin e individëve të përfshirë dhe të vetë profesionit,” theksoi Francesco Massini, president i Shoqatës Italiane të Gjyqtarëve.

Në shpërthimin e tij pas ndeshjes, Gaucci e sulmoi ashpër gjyqtarin Vincenzi nga Bolonja. “Nuk kam parë kurrë diçka të tillë si ajo që pashë sot; një gjyqtar i tillë nuk mund të veprojë kurrsesi me mirëbesim,” deklaroi ai. “Nuk më bëhet vonë – mund të më përjashtojnë edhe për 100 vjet, por unë do ta them hapur atë që mendoj.

Dikush kaq i paaftë nuk duhet të gjykojë as ekipet e moshave më të reja. Më duhet të mendoj nëse do të qëndroj këtu apo do të largohem sërish, sepse ndoshta jam unë ai që shkakton probleme; mbiemri im mund të jetë ende një problem – sepse kështu janë gjërat.”


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme