Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale zhvilloi seanca dëgjimore me ILD, KLGJ dhe KLP

Nën drejtimin e kryetarit, Fatmir Xhafaj, Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale zhvilloi disa seanca dëgjimore, në zbatim të Kalendarit Tematik për Ushtrimin e Kontrollit Parlamentar Postlegjislativ, në kuadër të Komponentit III, i cili lidhet me miratimin e akteve nënligjore dhe nivelin e zbatimit të ligjeve të miratuara gjatë periudhës 2021–2025, Komponenti III “Institucionet dhe Agjencitë e Pavarura”.
Fillimisht, Komisioni zhvilloi seancë dëgjimore me Artur Metani, Inspektor i Lartë i Drejtësisë, i cili informoi lidhur me përmbushjen e detyrimeve për hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore, si dhe nënvizoi se nuk ka pasur detyrime për hartimin e ndonjë akti nënligjor për zbatimin e Strategjinë Ndërsektoriale të Drejtësisë apo detyrim për tu përmbushur në kuadër të procesit të integrimit për përafrim me “acquis” të BE.
Metani u ndal në plotësimin e rekomandimeve të progres-raportit lidhur me plotësimin e vakancave për inspektor pranë zyrës së ILD, përmbushjen e rekomandimeve për rritjen e inspektimeve tematike, si dhe hartimin e një metodologjie të veçantë për plotësimin e rekomandimit për zbatimin e mëtejshëm të standardeve të vettingut në veprimtarinë e organeve të ILD.
Relatorja Romina Kuko parashtroi se kontrolli parlamentar nuk duhet të kufizohet te përmbushja formale e detyrimeve ligjore, por duhet të vlerësojë nëse veprimtaria e ILD-së jep rezultate konkrete në verifikimin e ankesave dhe inspektimet e kryera, si dhe u ndal në disa çështje që lidhen me: trajtimin e ankesave që lidhen me zvarritjen e proceseve gjyqësore, inspektimet në gjykatat problematike për stokun e çështjeve, nevojën për rritjen e transparencës; afatet dhe efektiviteti inspektimeve, procedurat për rekrutimin e inspektorëve, nevojën për hartimin e raporteve periodike mbi ankesat e qytetarëve, etj.
Kuko propozoi ndër të tjera që ILD të përmirësojë regjistrimin dhe verifikimin e ankesave për vonesa, të publikojë raportet periodike dhe kriteret e përzgjedhjes së inspektimeve, si dhe të përfshijë në planin e inspektimeve 2027 kohëzgjatjen e gjykimeve në gjykatat prioritare sipas përcaktimit të Strategjisë, gjykatat administrative dhe korrupsionin në gjyqësor; etj. Gjithashtu, kërkoi që brenda 30 ditëve ILD t’i paraqesë Komisionit një kalendar për plotësimin e vendeve vakante dhe vlerësimin e inspektorëve deri në fund të vitit 2027, si dhe ti dërgojë Komisionit planin e inspektimeve 2027 sapo të miratohet. Më pas Metani iu përgjigj pyetjeve të deputetëve.
Seanca e dytë vijoi me Ilir Rusi, Kryetar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili bëri një përmbledhje të procesit të hartimit të akteve nënligjore gjatë periudhës 2021-2025, duke detajuar se në tre ligjet kryesore të reformës në drejtësi, janë identifikuar 85 dispozita që parashikojnë detyrime për nxjerrjen e akteve nga KLGJ-ja, nga të cilat janë përmbushur 59, ndërsa 26 të tjera mbeten për t’u miratuar. Rusi sqaroi se pjesa më e madhe e akteve lidhet me zhvillimin e karrierës së gjyqtarëve, vlerësimin etiko-profesional, procedimet disiplinore, kompensimin financiar, administrimin e gjykatave, efiçencën e gjyqësorit, komunikimin me median e publikun. Ndër të tjera Rusi sqaroi se disa nga fushat ku ende nevojiten akte të reja përfshijnë formimin e vazhdueshëm të magjistratëve, papajtueshmërinë ambientale, shpërblimin e paaftësisë, uljen e ngarkesës, etj. Deputetja Romina Kuko në cilësinë e relatores evidentoi se KLGJ duhet të përmbushë detyrimet ligjore të mbartura prej vitesh, si dhe disa problematika të hasura në administrimin e gjykatave, vonesat në gjykime, mungesën e miratimit të rregullave për vlerësimin e punës së anëtarëve të KLGJ, mungesën e një procedure të unifikuar për transferimet, etj.
Kuko propozoi që KLGJ t’i paraqesë Komisionit brenda 30 ditëve një pasqyrë të detajuar për 26 dispozitat e pambuluara me akte nënligjore, duke përcaktuar fazën e hartimit, strukturën përgjegjëse dhe afatin e miratimit për secilën. Ndër të tjera Kuko kërkoi miratimin e rregullave për vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve, si dhe propozime të argumentuara për ndryshime ligjore në rastet kur KLGJ i konsideron aktet të panevojshme. Më pas Rusi iu përgjigj pyetjeve të deputetëve.
Mbledhja vijoi me dëgjesën me Mirela Bogdani, Kryetare e KLP, Vatë Staka dhe Erind Mërkuri, anëtarë të KLP-së. Fillimisht Bogdani informoi lidhur me procesin e hartimit të akteve nënligjore gjatë periudhës 2021-2025, duke detajuar që janë miratuar 25 rregullore dhe strategji, që lidhen kryesisht me vlerësimin, lëvizjen paralele, karrierën e prokurorëve, komunikimin me publikun, si dhe disa çështje që lidhen me bashkimin e procedimeve disiplinore, funksionimin e brendshëm të KLP-së, etj. Më tej Bogdani u ndal dhe në arsyet e mosmiratimit në kohë të një sërë aktesh dhe fazat në të cilat ndodhet miratimi i tyre. Deputeti Erjo Mile në cilësinë e relatorit evidentoi vonesat në përmbushjen e detyrimeve për miratimin e akteve nënligjore, moszbatimin në afat të rekomandimeve të Kuvendit, ritmin e ngadaltë të vlerësimit profesional të prokurorëve, etj.
Relatori propozoi që KLP të paraqesë një inventar të plotë të 17 akteve të pa miratuara, me fazën e hartimit, strukturën përgjegjëse dhe datën e miratimit për secilin; të paraqesë një plan për përmbylljen e vlerësimeve të mbartura të prokurorëve, etj. Më pas përfaqësuesit e KLP-së iu përgjigjën pyetjeve të ndryshme të deputetëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




