KQZ shtyn afatin për nënshkrimet e projektligjit për Kodin Zgjedhor dhe plotëson tri vakanca në këshillat bashkiakë

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve shqyrtoi në seancën e sotme publike kërkesën e nismës ligjvënëse të zgjedhësve për shtyrjen e afatit për mbledhjen e nënshkrimeve mbështetëse. Kjo nismë lidhet me propozimin për ndryshime dhe shtesa në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.
Në përfundim të shqyrtimit, Komisioneri vendosi pranimin e kërkesës dhe shtyrjen e afatit të mbledhjes së firmave mbështetëse nga zgjedhësit deri më 15 dhjetor 2026.
“Komisioneri vendosi zgjatjen e afatit për mbledhjen e nënshkrimeve mbështetëse për propozimin e projektligjit ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 ‘Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar’, deri në datën 15 dhjetor 2026.”, thuhet në njoftim.
Plotësimi i vakancave në tre këshilla bashkiakë
Gjatë të njëjtës seancë publike, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi edhe vendimet për plotësimin e vakancave të krijuara në tre këshilla bashkiakë në vend:
Këshilli i Bashkisë Gjirokastër, mandati i kalon kandidates së “Partisë Socialiste të Shqipërisë”, zj. Nesilda Batha.
Këshilli i Bashkisë Korçë, mandati i kalon kandidates së Partisë “Aleanca Arbnore Kombëtare”, zj. Sara Dinellari.
Këshilli i Bashkisë Lushnjë, mandati i kalon kandidates së “Partisë Socialiste të Shqipërisë”, zj. Klajda Meço.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




