Dhuna ndaj policisë në protestë, Rama: Askush nuk po mendon për drejtësinë e efektivëve

Politikë | 4 orë më parë

Kryeministri Edi Rama ka dënuar dhunën ndaj efektivëve të policisë gjatë protestave në Tiranë, duke e cilësuar atë si një dhunë të verbër që, sipas tij, nuk përfaqëson rininë shqiptare. Ai u ndal te sakrificat e punonjësve të policisë dhe familjeve të tyre, duke kritikuar mungesën e vëmendjes ndaj vështirësive me të cilat përballen gjatë protestave.

Gjatë reagimit të tij, Rama theksoi se, ndërsa diskutimet publike përqendrohen te pakënaqësitë dhe të drejtat e protestuesve, duhet të merret në konsideratë edhe situata e efektivëve që përballen me gurë, saçma, molotovë dhe flakë për orë të tëra.

Rama nënvizoi se punonjësit e policisë kanë nevojë për mbështetje dhe motivim të vazhdueshëm, duke theksuar se sakrifica e tyre duhet të vlerësohet si nga institucionet, ashtu edhe nga shoqëria.

“Një dhunë e verbër e cila nuk ka asnjë lidhje me rininë shqiptare, nuk ka asnjë lidhej me fëmijët që të gjithë prindit kanë në shtëpi. Përballë kësaj dhune, qëndron policia dhe teksa dëgjoj në pafundësi ankesa dhe justifikime, që mund të jenë edhe legjitime dhe ndonjëherë janë legjitime, për inatin, mllefin, arsyet, të drejtat e atyre që janë aty në rrugë si studentë, një fraksion i asaj turme që në rastin më të mirë shkon në 1500 vetë, e mendoj vazhdimisht, po punonjësit e policisë i shikoni? I dini kush janë? Ja u dini jetën, hallet? Është e dhimbshme që askush nuk po mendon për drejtësinë e këtyre policëve.

Edhe ata mbase kanë pakënaqësitë e tyre, por ndryshe nga pjesa tjetër nuk bëjnë thirrje për qëndresë kundër shtetit, por përkundrazi, janë mburoja e shtetit. Duhet të gjejmë mënyrën për t’i motivuar pa reshtur këta njerëz. Policët nuk po kërkojnë vëmendje, nuk po kërkojnë shumëçka që me siguri u takon, por me siguri ata duan të ndjejnë praninë tonë dhe të shoqërisë në këtë  sakrificë të tyre përballë gurëve, saçmave, molotovëve, flakëve të një turme të maskuar. Familjet e atyre  djemve e vajzave që janë me uniformë , marrin këtë dhuratë (tregon gurin) në breshëri, pa pushim për orë e orë të tëra, ndërkohë që në ekrane demonizohen si autorët e dhunës”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme