Rrëzohet helikopteri ushtarak italian i EUFOR-it në Bosnjë, raportohen tre të vdekur dhe 12 të plagosur

Një helikopter ushtarak italian i llojit CH-47, i angazhuar në kuadër të misionit të Bashkimit Evropian EUFOR Althea në Bosnje-Hercegovinë, është rrëzuar këtë pasdite gjatë ushtrimit të detyrës. Rrethanat dhe shkaqet e këtij aksidenti ajror mbeten ende të paqarta dhe nën hetim nga autoritetet kompetente.
Lajmi u konfirmua zyrtarisht nga Forca e Bashkimit Evropian në Bosnjë dhe Hercegovinë (EUFOR), e cila sqaroi se ngjarja e rëndë ndodhi gjatë një operacioni rutinë në qytetin e Goricës, në zonën e Brçkos pranë kufirit me Serbinë.
Reagimi i ekipeve të shpëtimit dhe deklaratat zyrtare
Ekipet e emergjencës dhe shpëtimit mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes për të dhënë ndihmën e primare. Lidhur me ngjarjen, Ministria e Mbrojtjes bëri me dije se në këto momente “nuk është e mundur të publikohen deklarata të mëtejshme, në pritje të informacioneve më të sakta, veçanërisht mbi gjendjen shëndetësore të personelit”.
Ndërkohë, bilancin e parë njerëzor e ka dhënë kryetari i bashkisë së Brçkos, Siniša Milić, sipas të cilit nga përplasja kanë humbur jetën tre persona dhe janë plagosur 12 të tjerë.
“Tre persona vdiqën dhe 12 u plagosën. Të gjithë u trajtuan në një spital në Brçko. Personeli mjekësor është në gatishmëri të lartë”, u shpreh ai lidhur me gjendjen e të lënduarve.
Autoritetet ushtarake dhe civile njoftuan se detajet e mëtejshme mbi identitetin e viktimave dhe ecurinë e të plagosurve, si dhe shkaqet teknike apo njerëzore të rrëzimit të mjetit fluturues, do të bëhen publike vetëm pas përfundimit të të gjitha hetimeve zyrtare në terren.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



