Kievi: Zelensky, i gatshëm të diskutojë çështjet e territorit përballë me Putinin

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka përcjellë një mesazh presidentit rus Vladimir Putin se është i gatshëm të diskutojë çështjen e territoreve gjatë një takimi të drejtpërdrejtë. Këtë e njoftoi ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, për gazetën finlandeze Helsingin Sanomat.
Qëndrimin e Zelenskyt ia përcollën Putinit, presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, dhe Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, gjatë një telefonate të zhvilluar më 27 tetor.
Sipas Sybiha-s, udhëheqësit evropianë e iniciuan telefonatën në koordinim të plotë me Kievin dhe se qëllimi kryesor i saj ishte dërgimi i mesazhit që përveç propozimit për një takim ballë për ballë mes dy krerëve të shteteve, Ukraina kërkoi gjithashtu vendosjen e një armëpushimi.
“Ne e duam këtë takim dhe jemi të gatshëm për të. Sipas të gjitha gjasa, vetëm një takim mes Zelensky-t dhe Putinit mund të ndryshojë dinamikën e negociatave. Zelensky është i gatshëm të diskutojë çështjet më të vështira dhe më sensitiive, përfshirë territorin” deklaroi Sybiha.
Zyra e Presidentit Stubb kishte deklaruar më parë se qëllimi i telefonatës ishte “përcjellja e pozicionit të Ukrainës mbi bisedimet e ardhshme të paqes në Abu Dhabi drejtpërdrejt te Presidenti Putin”, pa dhënë detaje të tjera nga Helsinki.
Biseda e Putinit me Stubb dhe Støre shënon kontaktin e tij të parë me udhëheqës evropianë që mbështesin Ukrainën që nga korriku i vitit 2025, kur ai zhvilloi një bisedë me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




