Vret kushëririn me aftësi të kufizuara me një petull me krem për 300 mijë euro trashëgimi

Europë | 55 minuta më parë

Një ngjarje e rëndë dhe e pazakontë ka tronditur qytetin e Reggio Emilias në Itali, ku një 76-vjeçar akuzohet se ka vrarë kushëririn e tij 74-vjeçar me aftësi të kufizuara, duke shfrytëzuar si “armë” një petull me krem. Pas krimit të dyshuar qëndron motivi i pasurisë: përvetësimi i një trashëgimie familjare në pasuri të paluajtshme me vlerë mbi 300,000 euro.

Viktima, i cili ishte me aftësi të kufizuara të certifikuara dhe i akomoduar në një qendër kujdesi (azil pleqsh), vuante nga disfagia e rëndë — një çregullim i gëlltitjes që e detyronte të ushqehej ekskluzivisht me lëngje dhe e ndalonte kategorikisht konsumimin e ushqimeve të forta.

Sipas hetimeve të prokurorisë, më 27 qershor, i afërmi i tij i dërgoi një pako me ëmbëlsira në ambientet e azilit, duke e ditur mirë se konsumimi i tyre do t’i shkaktonte asfiksim nga mbytja, siç edhe ndodhi.

Jo pakujdesi, por plan i mirëmenduar

Hetimet e organit të akuzës nxorën në dritë se vdekja e 74-vjeçarit nuk ishte pasojë e një pakujdesie apo mbikëqyrjeje të çastit. Prokuroria dokumentoi se akti përbënte “kulminacionin e një sjelljeje të paramenduar dhe të përsëritur me kalimin e kohës”.

I dyshuari kishte bërë përpjekje të mëparshme për t’i dërguar viktimës pasta dhe ëmbëlsira të ndryshme, duke u kujdesur t’i fshihte ato nga kontrollet e stafit të azilit me qëllim që të shmangte dyshimet dhe të maskonte qëllimin e tij të vërtetë.

Akuzat e rënda ndaj 76-vjeçarit

Vrasësi i dyshuar, përveç lidhjes familjare, ushtronte edhe rolin e kujdestarit ligjor të viktimës. Ai ndodhet aktualisht nën masën e sigurisë “arrest shtëpiak”.

Ndaj tij rëndojnë një sërë akuzash dhe rrethanash rënduese, përfshirë “rrethanën rënduese të paramendimit”, shpërdorimin e detyrës si kujdestar ligjor, kryerjen e krimit ndaj një personi me aftësi të kufizuara të pranuar në një qendër rehabilitimi, si dhe “shfrytëzimin e rrethanave të kohës, vendit dhe personit që penguan mbrojtjen publike dhe private”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme