Prodhimtari e lartë bujqësore në Shkodër, kushtet atmosferike dhe aksesi i vaditjes ndikim në rritjen e prodhimit

Bujqësi | 2 orë më parë

Kushtet e favorshme atmosferike dhe përmirësimi i infrastrukturës së vaditjes kanë ndikuar në rritjen e prodhimtarisë bujqësore në Shkodër gjatë këtij viti. Rezultatet më pozitive janë shënuar veçanërisht në vreshtari dhe kultivimin e perimeve, sektorë që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të aktivitetit bujqësor në këtë zonë.

“Prodhimi bujqësor ka qenë mjaft i mbarë, sidomos në ato zona që kanë pasur akses në ujitje. Ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për vreshtarinë. Po ashtu, edhe në sektorin e perimeve prodhimi ka qenë i mbarë. Nuk ka pasur nevojë as për ndërhyrje të shpeshta dhe as për shumë spërkatje në luftën kundër sëmundjeve”, u shpreh Alban Sekja, Drejtues i AREB Shkodër.

Një tjetër prirje që po vihet re në sektorin bujqësor është orientimi gjithnjë e më i madh i fermerëve drejt kulturave që kanë kërkesë në treg. Specialistët theksojnë se, përveç interesit ekonomik, në përzgjedhjen e kulturave po merret gjithnjë e më shumë në konsideratë edhe përshtatshmëria me kushtet e terrenit dhe mundësitë e prodhimit në secilën zonë.

“Interesi për të mbjellë sa më shumë misër dhe kultura të tjera bujqësore, të cilat i shërbejnë blegtorisë, është rritur. Po shohim se interesi i fermerëve është në rritje. Nevojat janë nga më të ndryshmet, por rehabilitimi i sistemit të ujitjes dhe i sistemit kullues është krejtësisht i domosdoshëm për këtë zonë, pasi bëhet fjalë për një zonë fushore, ku kullimi gjatë dimrit dhe ujitja gjatë sezonit të verës janë shumë të nevojshme.”

Përmirësimi i sistemit të vaditjes mbetet një nga ndërhyrjet e rëndësishme për zhvillimin e bujqësisë. Vetëm në zonën e Nënshkodrës, gjatë këtij viti është siguruar vaditja e mbi 500 hektarëve tokë bujqësore, duke krijuar kushte më të mira për kultivimin e produkteve bujqësore. Ndërkohë, ndërhyrjet për rehabilitimin dhe përmirësimin e rrjeteve të vaditjes dhe kullimit vijojnë edhe në zona të tjera të Bashkisë Shkodër.

Gazetar: A. Hoti

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme