Rrëzimi i helikopterit ushtarak italian në Bosnje, shkak dyshohet një defekt teknik, një nga helikat mund të jetë bllokuar

Një defekt teknik dyshohet se qëndron pas rrëzimit të helikopterit ushtarak italian të misionit evropian EUFOR Althea në Bosnjë-Hercegovinë, ku humbën jetën katër persona dhe 11 të tjerë mbetën të plagosur (foto X). Një nga pistat që po shqyrtohet lidhet me bllokimin e njërit prej dy rotorëve ose me ndryshimin e drejtimit të rrotullimit të tij. Rotori është sistemi i helikave rrotulluese që krijon forcën e nevojshme për ngritjen dhe qëndrimin e helikopterit në ajër.
Te helikopteri Chinook i cili u rrëzua në Bosnjë, ka dy rotorë kryesorë, një në pjesën e përparme dhe një në pjesën e pasme të helikopterit.
Sipas ekspertëve të aviacionit që kanë analizuar pamjet e aksidentit, helikopteri CH-47F Chinook duket se ka pësuar një anomali gjatë fluturimit, duke hyrë në një rrotullim të pakontrolluar përpara se të përplasej me tokën. Mjeti fluturues ishte ngritur vetëm rreth 10 metra nga toka, menjëherë pas nisjes nga aeroporti i Brçkos, kur filloi të rrotullohej dhe më pas u shkatërrua nga përplasja.
Kushtet atmosferike në momentin e aksidentit nuk paraqisnin probleme të veçanta. Moti ishte i vranët, por dukshmëria nuk ishte e kufizuar, ndërsa era frynte me shpejtësi rreth 5 kilometra në orë. Për këtë arsye, kushtet meteorologjike nuk konsiderohen si shkak i mundshëm i ngjarjes.
Sipas raportimit të Corriere della Sera, në Ministrinë italiane të Mbrojtjes dyshimet e para janë për një defekt teknik. Megjithatë, autoritetet theksojnë se është ende herët për të përcaktuar shkakun e saktë dhe se hetimi mund të kërkojë ditë, javë apo edhe muaj.
Për zbardhjen e plotë të ngjarjes do të analizohen mbetjet e helikopterit dhe do të merren dëshmitë e 11 personave që i mbijetuan aksidentit. Mes tyre janë edhe pilotët, të cilët arritën të shpëtonin, një rezultat që zyrtarë të qeverisë italiane e kanë cilësuar si pothuajse një mrekulli.
Nga 15 personat që ndodheshin në bord, katër humbën jetën: dy pjesëtarë të Ushtrisë Italiane, rreshterët Simone Ruggia dhe Claudio Marchesi, si dhe dy vullnetarë të Kryqit të Kuq, Franco Adriano Zecchillo dhe Laura Procacci. Të 11 të plagosurit morën ndihmë mjekësore dhe, sipas autoriteteve italiane, asnjëri prej tyre nuk ndodhet në rrezik për jetën.
Helikopteri Chinook ishte angazhuar në një fluturim rutinë në kuadër të misionit evropian EUFOR Althea, i cili ka për detyrë ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Bosnjë-Hercegovinë. Hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit vijojnë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





