Theu rekordin botëror Guinness duke realizuar 72 rrotullime të plota në 30 sekonda, Rushiti rrëfehet për sfidën

Akrobatja e njohur shqiptare, Fiona Rushiti, ka shënuar një tjetër sukses të jashtëzakonshëm në karrierën e saj, duke u bërë zyrtarisht rekordmene e Ginesit në një nga disiplinat më ekstreme dhe më të vështira fizikisht: rrotullimet e kapura vetëm tek dhëmbët.
Ajo ka arritur të realizojë plot 72 rrotullime të plota në vetëm 30 sekonda, duke thyer rekordin e mëparshëm që mbahej nga një atlet i huaj me 65 rrotullime.
E ftuar në emisionin “Në kohë reale” në RTSH1 Rushiti ka ndarë detaje ekskluzive rreth kësaj sfide titanike, vështirësive të mëdha përgjatë rrugës, si dhe emocioneve të përziera që përjetoi pikë në ditën e marrjes së lajmit zyrtar.
Përballë një arritjeje të përmasave ndërkombëtare, momenti i marrjes së konfirmimit zyrtar nga Guinness u shoqërua me ngarkesa të mëdha emocionale për akrobaten. Dita e shpalljes së rekordit përkoi me një moment kritik shëndetësor për babanë e saj, i cili duhet të i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente.
“Në fakt ishte një nga lumturitë më të mëdha, por që unë nuk pata fatin ta festoja ashtu siç duhej” rrëfen Rushiti, duke shtuar se pikërisht në atë periudhë iu a duhej të udhëtonte drejt Italisë për operacionin e të atit.
Megjithatë, mbështetja dhe forca e treguar prej tij mbetën shtytja më e madhe emocionale për sportisten.
E pyetur se si lindi ideja për t’u futur në këtë disiplinë të rrezikshme ku e gjithë pesha e trupit mbahet vetëm nga dhëmbët, akrobatja tregoi se ambicia e saj ka qenë gjithmonë konkurrenca në arenën globale.
“Unë e kam thënë që konkurrencën e kam jashtë shtetit… Do të konkurroj gjithmonë me njerëzit që janë jashtë vendit tonë, për t’i futur veten në atë rang ndërkombëtar ku dua të jem,” u shpreh ajo.
Pavarësisht se rekordin e mëparshëm prej 65 rrotullimesh e mbante një mashkull, Rushiti theksoi se fakti që përballë kishte një rekord të vendosur nga një burrë e anoi më shumë nga ana intriguese dhe sfiduese e sipërmarrjes. Rruga drejt shifrës 72 nuk ishte e lehtë; ajo pranoi se kishte mbetur e bllokuar për një kohë të gjatë tek 58 rrotullime, dhe pavarësisht tundimit për të ndaluar te 66-a, egoja dhe kërkesa e lartë për përsosmëri e shtynë drejt synimit maksimal.
Akrobatja shpjegon se ngarkesa më e madhe bie mbi nofullën dhe qafën, duke lënë pas dëmtime dhe lodhje ekstreme pas çdo seance stërvitore. Por, sipas saj, dhimbja fizike është pjesë e përballueshme e punës; sfida më e madhe e vërtetë ishte ngarkesa e rëndë psikologjike dhe fiksimi i krijuar për të arritur me çdo kusht këtë objektiv, duke e kthyer atë në një betejë personale me veten.
Gjatë intervistës, Rushiti preku edhe çështjen e mbështetjes institucionale dhe monetare për rekordet e Ginesit në Shqipëri, duke theksuar se këto vlerësime mbeten kryesisht në dëshirën e shtetit për t’i vlerësuar, ndërkohë që vetë organizata e Guinness-it fokusohet tek certifikimi i merituar i punës dhe jo te shpërblimet financiare.
Duke u ndalur tek planet e së ardhmes, Fiona Rushiti nuk ka ndërmend të ndalet me kaq. Ajo ka paralajmëruar tashmë projektin e saj të radhës, e cila do të fokusohet sërish tek lartësitë dhe sfidat me të varura, duke synuar një rekord të ri spektakolar – kësaj radhe, varja dhe performanca e realizuar përmes flokëve, një disiplinë nga e cila ajo ka kaluar edhe një incident të mëparshëm në aktivitetet private, por që mbetet objektivi i saj i radhës për t’u zyrtarizuar ndërkombëtarisht.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




