Sulmet izraelite në Gaza, Papa Françesku: Mizori, bombardimet po vrasin fëmijë

Botë | 2 vite më parë

Sulmet ushtarake izraelite në të gjithë Rripin e Gazës vranë të paktën 22 palestinezë, tetë prej tyre në një shkollë që strehonte familjet e zhvendosura në qytetin e Gazës.

Mjekët palestinezë thanë se tetë persona, përfshirë fëmijë, u vranë në shkollën Musa Bin Nusayr, ,por ushtria izraelite tha në një deklaratë se sulmi kishte në shënjestër militantët e Hamasit që vepronin nga një qendër komandimi e ngritur brenda shkollës.

IDF ka operuar në dy qytetet e Gazës veriore, Beit Lahiya dhe Beit Hanoun, si dhe në kampin e afërt Jabalia për gati tre muaj. Në Jabalia 70 për qind të shtëpive dhe ndërtesave janë shkatërruar plotësisht nga sulmet dhe palestinezët e akuzojnë Izraelin për kryerjen e akteve të “spastrimit etnik” për të shpopulluar ato zona për të krijuar një zonë tampon.

Izraeli e mohon këtë dhe thotë se fushata ushtarake e nisur në 5 tetor të këtij viti në atë zonë ka për qëllim të luftojë militantët e Hamasit dhe t’i pengojë ata të rigrupohen. 

Që nga tetori, asnjë ndihmë e mjaftueshme humanitare, përfshirë ushqimin, ilaçet dhe karburantin, nuk është lejuar në Jabalia, duke e lënë popullsinë e mbetur atje në prag të urisë, ndërsa ndërmjetësuesit që thonë se kanë përmbyllur 90% të marrëveshjeve mes Izraelit dhe Hamasit ende nuk kanë siguruar një armëpushim qoftë të përkohshëm.

Autoritetet në Gaza thonë se bombardimet e Izraelit kanë vrarë më shumë se 45,200 palestinezë dhe kanë zhvendosur shumicën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh, ndërsa pjesa më e madhe e enklavës bregdetare është kthyher në rrënoja.

Një ditë më parë Papa Françesku gjatë një fjalimi dënoi përsëri bombardimet izraelite në Rripin e Gazës, duke thënë se kjo nuk është luftë, por “mizori”.

Papa, si lider i Kishës Katolike Romake me 1.4 miliardë anëtarë, zakonisht është i kujdesshëm për të mos mbajtur anë në konflikte, por kohëve të fundit, ai ka qenë më i zëshëm në lidhje me fushatën ushtarake të Izraelit kundër grupit militant palestinez Hamas.

Gazetar: Artur Mata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme