Aksion për pastrimin e Thethit, vullnetarë dhe institucione në aksion për mbrojtjen e natyrës

Në kuadër të nismës “Youth for Theth”, të rinj dhe vullnetarë nga organizata dhe institucione të ndryshme u bashkuan për pastrimin dhe mbrojtjen e Thethit, një prej destinacioneve më të veçanta të Alpeve Shqiptare.
Aktiviteti u organizua nga Bashkia Shkodër, KVR Shkodër, ACT4 Shkodra, Qendra Rinore Atelie dhe Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër, me synimin për të promovuar ndërgjegjësimin mjedisor dhe angazhimin qytetar në ruajtjen e natyrës.
“Pas bregdetit të Velipojës sot e ka radhën Thethi. Jemi sot për të dhënë një mesazh sensibilizimi që ta duam qytetin tonë dh eta mbajmë të pastër atë. Të japim mesazhin që të mos lëmë gjë pas, të shijojmë natyrën dhe mbeturinat t’i marrim me vete. Të gjithë bashkë për një qytet më të pastër”, tha Edita Shoshi, Drejtore e Përgjithshme, Shërbimi Social, Bashkia Shkodër.
Nën moton “Natyra na dhuron, ne kujdesemi”, pjesëmarrësit kontribuan në pastrimin e zonës, duke dhënë një mesazh të fortë për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe ruajtjes së pasurive natyrore.
“Ky aksion synon të japë një mesazh për të mbrojtur mjedisin”, u shpreh një aktiviste.
Organizatorët falënderuan të gjithë të rinjtë dhe vullnetarët që iu bashkuan kësaj nisme, duke treguar se kujdesi për natyrën është një përgjegjësi e përbashkët që nis nga secili prej nesh.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




