Arrestohet lideri i opozitës në Tbilisi-Vijojnë protestat antiqeveritare në Gjeorgji

Nika Gvaramia, lideri i një prej katër grupeve opozitare në Gjeorgji, u nxor me forcë nga selia e partisë së tij pranë parlamentit në kryeqytetin Tbilisi dhe u arrestua nga policia.
Të hënën opozitari 48-vjeçar tha se protestuesve nuk u kishte mbetur zgjidhje tjetër përveçse të dilnin në rrugë. Gvaranmia, ish-drejtuesi i një kanali televiziv opozitar kaloi më herët 13 muaj në burg, pasi u akuzua për shpërdorim detyre, por u fal në qershor 2023 nga presidentja pro-perëndimore Salome Zourabichvili.
Autoritetet gjeorgjiane filluan të ndjekin liderët e opozitës pas deklaratës së ashper të kryeministrit Irakli Kobakhidze.
“Politikanët që organizuan dhunën, por u fshehën nëpër zyra, nuk do të mund t’i shmangen përgjegjësisë për ngjarjet që kanë ndodhur ditët e fundit”- paralajmëroi ai, duke akuzuar protestuesit për akte të dhunshme.
Opozita raportoi se të pakatën 17 anëtarë të partive të tyre janë arrestuar. Më shumë se 330 protestues janë ne paragurgim që nga fillimi i protestave një javë më parë, ndërsa grupet e të drejtave të njeriut akuzojnë policinë se ka dhunuar protestuesit e arrestuar. Gjeorgjia është përfshirë nga protesta të dhunshme prej një jave, pasi partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane tha se po ndërpriste bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




