BE kërkon formimin e institucioneve në Kosovë, Kos: Shqipëria, përparim në negociata

Komisioni Evropian ka bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve në Kosovë, pas zgjedhjeve të fundit. Komisarja për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se vonesat po pengojnë reformat kyçe dhe përfitimin nga mbështetja e BE-së.
“Pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë, është thelbësore të formohen shpejt institucionet dhe të ecet përpara me reformat në gjyqësor, media dhe administratë publike. Një qeveri dhe kuvend funksional janë thelbësore që Kosova të përfitojë nga Plani Evropian për Rritje”, tha Kos në një seancë të Parlamentit Evropian.
Ajo theksoi se Komisioni është i gatshëm të hartojë opinionin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, por theksoi se ky hap varet nga Këshilli Evropian.
“Komisioni është gati të përgatisë opinionin për anëtarësimin e Kosovës sapo ta kërkojë Këshilli. Por rruga drejt BE-së kalon përmes dialogut me Beogradin, jo përmes veprimeve të njëanshme.”, shtoi ajo.
Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon për të cilin ende nuk është trajtuar aplikimi për statusin e kandidatit.
Në fjalën e saj, Kos kritikoi regresin e Serbisë në procesin e reformave dhe e cilësoi si shqetësuese vizitën e presidentit serb në Moskë, ndërsa përgëzoi Shqipërinë dhe Malin e Zi për përparimin në negociatat e anëtarësimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




