Bisedime paqeje Rusi–Ukrainë, Putin: Takimin mund ta organizojë Sllovakia

Europë | 2 vite më parë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të enjten se Sllovakia ka shprehur gatishmëri që të jetë vendi organizator i bisedimeve të mundshme të paqes mes Moskës dhe Kievit, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“[Robert] Fico tha se nëse bëhet fjalë për negociata, autoritetet sllovake do të ishin të lumtura të ofronin vendin e tyre si një platformë për zhvillimin e tyre Ne nuk jemi kundër, nëse bëhet fjalë për këtë. Pse jo? Meqenëse Sllovakia mban një pozicion kaq neutral, ky është një opsion i pranueshëm për ne,” u shpreh Putin.

Ai ka thënë vazhdimisht se Rusia është e hapur për bisedime për t’i dhënë fund konfliktit me Kievin, por se gjithsesi do t’i arrijë synimet e veta në Ukrainë.

Ndërkohë lideri rus u shpreh se Moska mund ta përdorë sërish raketën e re hipersonike balistike me rreze të mesme veprimi, e njohur si Oreshnik.

“Ne nuk e përjashtojmë mundësinë për ta përdorur atë sot dhe nesër, nëse është e nevojshme,” tha Putin.

Shefi i Kremlinit priti këtë javë Kryeministrin sllovak në Moskë, ndërsa Fico njihet si një kundërshtar i hapur i mbështetjes së Bashkimit Evropian për Ukrainën.

Pas ardhjes në pushtet vitin e kaluar, ai ai dha fund ndihmës ushtarake të Sllovakisë për Kievin, goditi sanksionet e BE-së ndaj Rusisë dhe ka paralajmëruar të bllokojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme