Britania kërkon negociator për BE-në, Starmer përpiqet të përmirësojë marrëdhëniet pas Brexit-it

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka nisur kërkimin për një negociator të ri të Bashkimit Evropian (BE) teksa kryeministri britanik, Keir Starmer, po lëviz për të rivendosur marrëdhëniet e Britanisë me Evropën, përmes ministrit për Marrëdhëniet me BE-në, Nick Thomas-Symonds.
Kandidati i suksesshëm do të veprojë si përfaqësues për të gjitha marrëdhëniet e Mbretërisë së Bashkuar me BE-në, duke përfshirë bisedimet e ardhshme të rinovimit mbi Marrëveshjen e Tregtisë dhe Bashkëpunimit (TCA) në vitin 2025. I përshkruar si kritik për dhënien e një “rivendosjeje të BE-së” dhe këshillimin mbi çështjet ekonomike ndërkombëtare, negociatori do të përfaqësojë gjithashtu kryeministrin gjatë diskutimeve me bllokun evropian.
Starmer e ka bërë një prioritet rindërtimin e lidhjeve me BE-në që nga marrja e detyrës, duke u takuar me liderë kryesor evropianë si kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron. Duke pranuar sfidat në përmirësimin e marrëdhënieve, Starmer ka mbrojtur një qasje “konstruktive” ndaj negociatave, duke e distancuar qeverinë e tij nga qasjet e kaluara.
Megjithatë, Partia Konservatore e kritikoi masën e kryeministrit Starmer. Sekretarja e jashtme në hije, Priti Patel, paralajmëroi se laburistët do të “kapitullojnë para BE-së” dhe do të ndryshojnë rezultatet e referendumit të vitit 2016 mbi Brexit-in.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




