Dështimi i formimit të qeverisë së re, Osmani pret sot në takim përfaqësuesit e partive politike

Kosovë | 12 muaj më parë

Një ditë pas dështimit të formimit të qeverisë së re, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar sot në orën 10:30 në takim krerët e partive politike në lidhje me gjetjen e një date për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

“Ftoheni në një takim të përbashkët konsultativ për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, thuhet në ftesën dërguar partive parlamentare.

Me 56 vota pro, 53 kundër dhe 4 abstenime i mandatuari i dytë nga Lëvizja Vetëvendosje për kryeministër Glauk Konjufca nuk arriti të krijonte dje (19 nëntor) qeverinë e re të Kosovës. Më herët, ndërsa kërkoi votën e deputetëve ai u shpreh se do të ishte arrogancë nëse Kosova shkon sërish në zgjedhje, duke theksuar se pa një qeveri të re kriza në Kosovë do të thellohet.

Më herët, Kuvendi i Kosovës u mblodh për të diskutuar krijimin e komisioneve që do t’i hapnin rrugë shqyrtimit të buxhetit 2026. Seanca u la e hapur nga kryeparlamentari Dimal Bashaq me arsyetimin se priste ndryshim të qëndrimeve të partive politike. Gjatë asaj seance, kryeministri në detyrë Kurti deklaroi se nëse marrëveshjet ndërkombëtare nuk do të votoheshin, vendi do të humbiste mbi 200 milionë euro, fonde nga plani i rritjes së BE-së dhe Bankës Botërore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme