Destinacionet e preferuara për fundvit, korçarët zgjedhin aventurat ndërkombëtare

Aktualitet | 2 vite më parë

Një pjesë e mirë e familjeve korçare kanë vendosur të festojnë pranë familjes këtë fundvit, duke ruajtur kështu traditën e festave në qytetin e tyre.

Megjithatë, gjithnjë e më shumë korçarët po zgjedhin të kalojnë fundvitin në destinacione të njohura, si Stambolli, Vjena, Budapesti dhe Roma, duke shijuar atmosferën festive të këtyre qyteteve.

“Përveç atyre që kanë qëndruar në Korçë ka shumë të tjerë që kanë preferuar të vizitojnë disa qytete europiane. Fillimisht janë opsionet pak më ekonomike dhe ofrohen më shpesh udhëtime drejt kryeqyteteve. Ka udhëtime çdo ditë, me orare të ndryshme dhe të përshtatshme për personat,” tregon Kristalina Mançi, operatore turistike.

Një ndryshim i dukshëm kohët e fundit është rritja e interesit për destinacione më të largëta për të kaluar festat, si Dubai, Praga dhe Bukureshti.

“Dubai është një destinacion i ri që është shtuar, ku mund t’i shijojnë festat e fundvitit pak më ndryshe nga Korça. Ofrohen paketa individuale, udhëtime me guidë, udhëtime ‘all-inclusive’,” thotë znjsh. Mançi.

Disa vite më parë, shumë familje korçare preferonin të kalonin festat në shtëpi, por tashmë po rritet numri i atyre që zgjedhin të kalojnë këtë periudhë jashtë, duke eksploruar destinacione të ndryshme dhe duke ofruar një eksperiencë të re për familjet e tyre.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme