Dita e 10-të e grevës së urisë, naftëtarët e Marinzës, protestë para Ministrisë së Energjisë: Ndërmjetësoni dialogun për kërkesat tona
Ndërsa 10 naftëtarët e Marinzës kanë hyrë në ditën e dhjetë të grevës së urisë, pjesa tjetër e naftëtarëve kanë zhvendosur protestën e tyre përpara Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku kërkojnë ndërhyrjen urgjente të institucioneve shtetërore për plotësimin e kërkesave të paraqitura prej tyre.
Punëtorët e kompanisë Bankers Petroleum Albania ndodhen në grevë të përgjithshme pa afat, duke pezulluar mbi 95% të aktivitetit në vendburimet e naftës.
Kryesia e sindikatës, e përbërë nga 10 anëtarë, ndodhet në grevë urie, dhe sipas naftëtarëve protestues, gjendja shëndetësore e tyre po përkeqësohet nga dita në ditë, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin.
Me pankartën “Uria e tyre është turpi i një shteti të pasur me naftë dhe të varfër me drejtësi” , protestuesit parashtruan edhe njëherë kërkesat e tyre për rritje të fondit të pagave me 18%, me shpërndarje më të drejtë për punonjësit me paga të ulëta; paga dinjitoze dhe sistem transparent pagash; ngritje në detyrë me meritë dhe jo me preferenca personale.
Sipas sindikatës, kërkesat janë plotësisht të realizueshme, ndërsa kompania nuk ka dhënë ende përgjigje zyrtare, përveç një propozimi minimal për shtesë diete, të cilin punëtorët e konsiderojnë të papërfillshëm.
“Kostoja vjetore që kompania do të kishte për përmbushjen e kërkesave tona është minimale, krahasuar me të ardhurat dhe shpenzimet që ajo ka për zëra të tjerë”, thanë ata.
Protestuesit theksuan se pavarësisht situatës së rënduar, institucionet qeveritare ende nuk kanë reaguar.
Naftëtarët i bëjnë thirrje ministres së Energjisë Belinda Balluku, kryeministrit Edi Rama, si dhe Unionit të Sindikatave, për të nisur menjëherë dialogun social dhe për të gjetur një zgjidhje të drejtë.
“Jeta e punëtorëve po vihet në rrezik. Nuk mund të ketë qeveritarë me paga 10-fish më të larta, ndërsa punëtorët luftojnë për minimumin jetik”, tha një prej protestuesve.
Ata paralajmëruan se nëse nuk ka reagim institucional në ditët në vijim, greva do të ashpërsohet më tej përpara kryeministrisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




